Tërmetet e shpeshta në vend, drejtori i Rrjetit Sizmologjik tregon sa të rrezikshme janë

E publikuar: 07/01/2025 23:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

\Tri tërmete brenda 48 orëve kanë shkundur Kosovën.

Pasditen e së hënës ndodhi tërmeti i parë, teksa mbrëmë ndodhën dy të tjerë, njëri pas tjetrit.

Këto tërmete, sipas drejtorit të Rrjetit Sizmologjik të Kosovës, Shemsi Mustafa, dëshmojnë se territori i Kosovës është zonë sizmike.

Në një intervistë për IndeksOnline, Mustafa u shpreh se gjeografikisht, Kosova është në zonën e kontaktit të dy pllakave të mëdha tektonike.

Ai ka renditur edhe zonat me rrezikshmërinë më të lartë sizmik.

“Zonat me rrezikun më të lartë sizmik në territorin e Kosovës janë: zona sizmogjene Pejë-Istog, Ferizaj-Viti-Gjilan, Kopaonik, Prizren-Gjakovë. Këto janë zona që përshkohen edhe me thyerjet aktive që mund të gjenerojnë në të ardhmen tërmete me magnitudë maksimale 6.5 shkallë të Rihterit, kurse zonat me rrezik më të ulët: Drenicë, Prishtinë-Mitrovicë, janë zonat që përshkohen edhe me thyerjet aktive që mund të gjenerojnë në të ardhmen tërmete me magnitudë maksimale 6.1 shkallë”, u shpreh Mustafa.

I pyetur se si mund të ndikojnë këto tërmete ne ndërtesat në Kosovë, dhe sa të forta janë ato për t’iu bërë ballë dridhjeve të tokës, Mustafa deklaroi se është e domosdoshme që për çdo objekt të ketë studim gjeologo-inxhinierik, për të parë se në çfarë trualli do të ndërtohet.

“Ne mund të themi që nëse të gjitha projektet, pra ndërtimet iu kanë referuar hartave të rrezikut sizmik sipas standardeve nacionale dhe evropiane dhe studimeve gjeologo-sizmike, duke përfshirë komponentin sizmik, atëherë nuk ka vend për shqetësim të ndonjë dëmtimi apo shkatërrimi të strukturave nga tërmetet e pritshme. Nëse nuk iu kanë referuar hartave të rrezikut sizmik, atëherë ka vend për shqetësim”, deklaroi ai.

Mustafa tha se ende nuk ka pajisje për parashikimin e tërmeteve, pajisje këto të sakta për kohën, lokacionin dhe madhësinë. Për këtë arsye, karakteristikat themelore të rrezikut sizmik përcaktohen në bazë të të dhënave për tërmetet që kanë ndodhur në të kaluarën dhe ato tërmete jashtë territorit të Kosovës, të cilat kanë efekte të konsiderueshme në territorin tonë.