Tërhiqet Isa Mustafa!

E publikuar: 10/12/2015 18:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, së bashku me disa nga drejtuesit e Degës së LDK-së në Prizren, janë tërhequr nga iniciativa për shkarkimin e kryetarit të kësaj dege në Prizren, Haxhi Avdyli.

Kjo tërheqje e Isa Mustafës ka ardhur pas raportimit të Gazetës Blic, se si vetë lideri i kësaj partie, duke dashur që t’i hakmerret Haxhi Avdylit pse ky i fundit e kishte përkrahur kundërkandidaten e tij për kryetar të LDK-së, Vjosa Osmanin.

Gazeta Blic kishte marrë veshë se me izën e Isa Mustafës kishte filluar iniciativa e shkarkimit të Haxhi Avdylit. Ishte njëri nga delegatët e kësaj dege të LDK-së, Selajdin Fanaj, ai i cili kishte konfirmuar për Gazetën Blic fillimin e mbledhjes së nënshkrimeve.

“Po, është e vërtetë që ka filluar mbledhja e nënshkrimeve. Unë sot e kam nënshkruar peticionin për largimin e tij. Jam shumë i pakënaqur me punën e tij”, kishte thënë të martën për Gazetën Blic Fanaj.

Mirëpo, ditën e mërkurë, vetëm një ditë pas raportimit të Gazetës Blic, Isa Mustafa mblodhi në një takim urgjent disa nga drejtuesit e kësaj dege, si Anton Quni, Haziz Hodaj, Fatmir Memaj etj që të “marrë vesh” se çka saktësisht po ndodh.

“Është marrë vendim që të tërhiqet kjo iniciativë”, i ka thënë Gazetës Blic, sot një burim brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ndërkaq, zyrtarisht askush nga kjo parti nuk ka dashur që të flas.

Ditën e martë edhe Fatmir Memaj edhe Anton Quni, që sipas burimeve të Gazetës Blic janë ndër iniciuesit kryesor për shkarkimin e Haxhi Avdylit e kanë mohuar një gjë të tillë, duke thënë se nuk kanë koment për një gjë të tillë.

Haxhi Avdyli kishte ardhur në krye të LDK-së në Prizren pas krizës së madhe nëpër të cilën kaloj kjo degë. Madje, nga drejtuesit e LDK-së, Avduyli ishte parë si njeriu i vetëm i cili arriti t’i bashkoj të gjitha fraksionet që ishin krijuar, në njërën nga degët më të mëdha të kësaj partie.

Mirëpo, hyrja në koalicion me PDK-në dhe mbështetja që i dha Haxhi Avdyli kundërkandidates së Isa Mustafës, Vjosa Osmanit në garën për të parin e LDK-së, bëri që lideri i kësaj partie të filloj edhe hakmarrjen ndaj kryetarit të degës. Fillimisht e la jashtë Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së e pastaj edhe jashtë Kryesisë së partisë./ Gazeta Blic