Tërheqje, ndreqje, apo stërkeqje? (2)

E publikuar: 04/11/2015 14:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Letër e hapur Presidentes Atifete Jahjaga, Kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, Kryeministrit Isa Mustafa, Ministrit të jashtëm Hashim Thaçi dhe Ministres për dialog Edita Tahiri, ose: Disa pyetje hipotetike për një (mos)Marrëveshje hipotekuese.

     “Zajednicë” ekstenzive për një pakicë dhe asociacion i rrudhur për të tjerët?!

 
            Marrëveshja e parë e parimeve parasheh që asociacioni i komunave me shumicë serbe, të ngritet “mbi të njëjtën bazë ligjore sikurse asociacioni gjithëpërfshirës dhe sipas statutit të tij”, që, normalisht do të duhej të ishte një nënasociacion brenda asociacionit të përbashkët dhe jo një superstrukturë komunash e shkëputur nga të gjitha nivelet e pushtetit që ngatërron plotësisht dhe pamundëson funksionalitetin demokratik në Republikën e Kosovës.
            Ja, më poshtë, (të theksuara) kompetencat e Asociacionit ekzistues dhe gjithëpërfshirës, në pajtim me Kushtetutën, Ligjin dhe Propozimin gjithëpërfshirës:
Asociacioni ekzistues i Kosovës
II.OBJEKTIVAT DHE DETYRAT E ASOCIACIONIT
Neni 2.1 Asociacioni është organizatë jofitimprurëse
Neni 3.1. Asociacioni angazhohet që në Republikën e Kosovës të implementohenrregullat nga Karta Evropiane për qeverisjen lokale; të organizojë dhe koordinojë aktivitetet e anëtarëve të Asociacionit në sferën e investimeve, në zhvillimin ekonomik të komunave, në përmirësimin e bazës ligjore , të përkrahjes biznesit, në kulturë, arsim, shkencë, mbrojtje shëndetësore, në mirëqenie dhe shërbime sociale, në zgjidhjen e konflikteve, në përmirësimin e shërbimevepër qytetarët dhe në raportet me asociacionet simotra jashtë shtetit dhe me organizatat ndërkombëtare.
3 .2. Asociacioni kryen këto detyra dhe punë:
3 .2.1. -inicon, organizon dhe promovon bashkëpunimin në mes autoriteteve lokale të Republikës së Kosovës;
-propozon zgjidhjen e problemeve të përgjithshme të autoriteteve lokale;
-nxjerrë materiale metodologjike të cilat ua jep autoriteteve lokale;
3.2.2. -jep mendime, sygjerime dhe vërejtje në projekt ligjet dhe aktet nënligjore që kanë të bëjnë me qeverisjen lokale;
3 .2.3.-bën asistencë organizative dhe ligjore për autoritetet lokale;
3 .2.4.-përfaqëson interesat e përgjithshme profesionale të autoriteteve dhe shërbimeve civile nga autoritetet lokale;
3 .2.5.-përfaqëson interesat e anëtarëve të saj para autoriteteve të jashtme dhe organizatave ndërkombëtare dhe ndihmon autoritetet lokale që të bashkëpunojnë me partnerët e jashtëm;
3.2.6.-organizon dhe koordinon trajnime profesionale të autoriteteve politike dhe shërbyesve civil nga radhët e autoriteteve lokale;
3.2.7. -organizon dhe koordinon qarkullimin e informacioneve për anëtarët e vet dhe nxjerr publikime të veta;
3.2.8.-krijon fonde, hap zyra përfaqësimi, institucione publike;
 
           Le të krahasohen kompetencat dhe fushëveprimi i “Zajednicës” me ato të Asociacionit ekzistues e gjithëpërfshirës dhe dallimet flasin vetë. A nuk duket qartë se modeli i “marrëveshur” i “Zajednices” vjen në kundërshtim edhe me formulën, natyrën dhe karakterin e Asociacionit ekzistues (anglisht: asociation, serbisht: asocijacija) të Komunave, mbi baza inkluzive dhe gjithëpërfshirëse, i cili është ngritur dhe funksionon në pajtim me Kushtetutën, Ligjin dhe Kartën Evropiane? “Zajednica”, jo vetëm që nuk do të ishte pjesë e Asociacionit gjithëpërfshirës të Kosovës, jo vetëm që do të ishte në korelacion eventual të bashkëpunimit, por edhe praktikisht e funksionalisht ai do të ishte i një karakteri tjetër superior (jo asociacion, jo “asocijacija”, por “Zajednicë” politikoterritoriale) me asamble, “organ suprem”, me strukturë, hapësirë institucionale e mekanizma favorizues dhe “në raport bashkëpunimi dhe informimi të ndërsjellë me autoritetet qendrore dhe me kompetenca që asociacioni i Kosovës nuk i ka dhe nuk mund t’i ketë;
            Pse ky favorizim absurd dhe diskriminim i rrezikshëm e kontraproduktiv etnik?! Si është e mundur që asociacioni i një pakice të vetme dhe numerikisht të vogël të ketë kompetenca shumëfish më të shumta dhe shumëfish më të gjera se sa Asociacioni gjithëpërfshirës?!
            Ndryshe nga “Asociacioni i përbashkët” , “Zajednica” e marrëveshur siç thuhet: “do të ngritet mbi bazë të Marrëveshjes së parë, ligjit për ratifikimin e marrëveshjes së parë dhe Ligjit të Kosovës, si entitet legal që do të ketë synim të ofrojë funksionepublike, shërbime dhe mbikëqyrje plotë, në:
  
4.         b) Zhvillim ekonomik lokal, (Si tërësi, apo?! E Ministria përkatëse?)
            c) Fushën e arsimit, ( Si tërësi, apo…?! E Ministria përkatëse?)
            e) Koordinimin e planifikimit urban dhe rural, (Si tërësi, apo…?! E Ministria përkatëse?)
            d) Shëndetësi, (nivelin primar e sekundar), dhe kujdesin social (Si tërësi?! E Ministria përkatëse?)
            g) Masat për të kthyerit ,( A është në marrëveshjen e parë? E Ministria përkatëse?)
            h) Ndjekje, koordinim dhe lehtësim i veprimtarive hulumtuese dhe zhvillimore,(A është                në marrëveshjen e parë? E Ministria përkatëse?)
            i)  Promovim dhe përfaqësim të anëtarëve të saj, përfshirë këtu edhe te autoritetet qendrore? (Kush e përfaqëson komunën, udhëheqja e saj apo një trup mbisundues i komunave?!)
            j)  Ofrim i shërbimeve, anëtarëve dhe banorëve të saj ( A është ekzekutive apo…?Aështë në marrëveshjen e parë?! Kush i përfaqëson banorët, komuna , apo…?!)
            k)  Efiçencëneofrimit të shërbimeve publike… (Si tërësi?! A është në marrëveshjen e parë? A është ekzekutive? E Ministria përkatëse?!)
            m) marrëdhënie dhe marrëveshje me asociacione tjera si vendore ashtu edhe                                            ndërkombëtare (A është në marrëveshjen e parë? A është ndesh me Ligjin për Marrëveshjet dhe me dispozitat përkatëse kushtetuese?)
 
5.    “Zajednica” do të ushtrojë (“exercise”) kompetenca tjera shtesë, që mund të delegohen        nga autoritet qendrore. (Ushtrimi i kompetencave, a është ekzekutive?)
 
6.         a) “Zajednica” – Asambleja ,- trup suprem me…drejtë për të adoptuar amendamente   statut, rregullore të nevojshme dhe vendime administrative …  (A ka “trup suprem”                marrëveshja e parë dhe Asociacioni gjithëpërfshirës? A është ekzekutive nxjerrja e                       vendimeve administrative? Kush duhet ta bëjë dhe ta amendamentojë statutin?)
            c) Këshillipërbëhet nga 30 anëtarë, përfshirë të gjithë prefektët (“gradonaćelnikët”!) (A ka Kosova kryetarë komunash apo”gradonaćelnikë”. E Serbia?)
            e) “Zajednica” dotëketë administratë dhe staf me status punësimi për ushtrimin e                       punëve të tyre administrative…  (A ka Administratë me status punësimi, asociacioni               gjithëpërfshirës dhe Marrëveshja e parë?)
            f). …Zyrë për ankesa… (A është në marrëveshjen e parë? A e ka Asociacioni                                   gjithëpërfshirëse?)
 
8. “Zajednica” do të punojë me autoritet qendrore “në bazë të bashkëpunimit të dyanshëm dhe shkëmbimit të informacioneve” (A është, ky partneritet dypalësh në marrëveshjen e parë dhe në Asociacionin e deritashëm? A është raport kushtetues?)
 
9. “Zajednica” promovon interesat e komunitetit (“Zajednices”!), serbe të Kosovës, në relacion me autoritet qendrore. (Kush i përfaqëson serbët e Kosovës , deputetët e zgjedhur apo “zajednica”?!)
 
10. “Zajednica” do të jetëe autorizuar të propozojë, në pajtim me ligjin, amendamente në ligje dhe rrregullore relevante për realizimin e qëllimeve të saj.  (A është në marrëveshjen e parë? A e ka Asociacioni gjithëpërfshirës? Kush propozon ligje dhe amendamente ligjesh? A është kushtetuese?)
 
11 “Zajednica” ka drejtë të inicojë ose të participojë në procedimet para gjykatave kompetente, përfshirë gjykatën kushtetuese...(A është në marrëveshjen e parë? A e ka Asociacioni gjithëpërfshirëse? A mund të uzurpohet e drejta e komunave nga Trupi mbisundues i komunave dhe çka do të thoshte kjo për demokracinë? Aq më tepër kur subordinimi i komunave vjen nga një dorë e jashtme diversive e obstruktive?!)
 
12. “Zajednica” ka të drejtëemërojë përfaqësuesit në organet/trupat kompetentë në qeverinë qendrore dhe të ketë qasje në informacionin e autoriteteve qendrore… (A është në marrëveshjen e parë? A e ka Asociacioni gjithëpërfshirëse? A mund të uzurpohet e drejta e komunave nga Trupi mbisundues i komunave dhe çka do të thoshte kjo për demokracinë?! Aq më tepër kur subordinimi i komunave vjen nga një dorë e jashtme diversive e obstruktive?! Dhe akoma më tepër, a ka të drejtë ky farë superpushteti special të ketë edhe “qasje speciale” në informacionin e Qeverisë qendrore?)
 
13. Duke vepruar në emër të “Zajednices”, katër “prefektet” (“gradonaćelnik”?!)ekomunave veriore do të kenë të drejtë të ofrojnë listën e kandidatëve për emërimin e komandantit regjional të policisë, si në pikën 9 të marrëveshjes së parë. (Komamdanti i prejudikuar etnikisht, nominohet në emër të komunave, apo në emër të “Zajednicës” dhe rrjedhimisht kujt i detyrohet ai?! A ka kompetenca të këtilla Asociacioni gjithëpërfshirës?)
 
14 . … “Zajednica” do të ketëtë drejtë për të pasur pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, bashkëpronësi në kompanitë për shërbime lokale … dhe të përfundojnë kontrata duke përfshirë edhe kontrata të punës,  (A është në marrëveshjen e parë? A e ka Asociacioni gjithëpërfshirëse? A është në përputhje me ligjin?)
 
16. “Zajednica” do të ketë buxhet të vetin,(A është në marrëveshjen e parë? A e ka Asociacioni gjithëpërfshirëse? Çka thotë ligji?)
 
17. “Zajednica” do të financohet (b) nga të ardhurat e shërbimeve që ajo u ofron dhe të ardhurat që burojnë nga pasuritë e saj të luajtshme dhe të paluajtshme, (c) transfereve nga pushteti qendror dhe të ardhurat edhe nga burime ndërkombëtare,.d)  Kontribute, grante , donacione si dhe mbéshtetje financiare  nga  shoqata dhe organizata tjera  vendore dhe nderkombetare , si dhe nga Republika e Serbise?! ( a është Republika e Serbisë “ nderkombëtare”, apo…?!!  “Zajednica” do të jetë, në kuadër të veprimtarive të saj…e liruar nga taksat dhe tatimet, mbi tënjejtën bazë si komunat që janë pjesë e saj. Kontributeve të brendshme dhe të jashtme si dhe nga Republika e Serbisë. (A është në marrëveshjen e parë? A e ka Asociacioni gjithëpërfshirëse? A është Asociacioni OJQ jofitimprurëse?
 
19. “Zajednica” mund të shpërndahet vetëm me 2/3 e anëtarëve të saj. (Pse vetëm…?A e ka këtë ekskluzivitet Asociacioni gjithëpërfshirëse? Në statutin e Asociacionit gjithëpërfshirës, si në çdo vend demokratik, është sanksionuar edhe e drejta për shpërbërjen ligjore e institucionale në rast të krijimit të arsyeve të parapara me ligj; çka ndodh nëse “zajednica” bën shkelje të rënda të ligjit, kushtetutës dhe rendit kushtetues? Pse “ Zajednica” është përjashtim dhe çka do të thotë kjo?)
 
21 Projekti i statutit – nga ekipi menaxhues , nëse është e nevojshme edhe me lehtësim të Ministrisë së Pushtetit Lokal, dhe miratohet edhe si statut edhe amendamente me dekret.! (A është në marrëveshjen e parë? A e ka Asociacioni gjithëpërfshirëse? Pse me dekret dhe me çfarë dekreti? Si është bërë statuti i Asociacionit ekzistues? Në praktikën tonë institucionale është Presidenti ( ja) që nxjerr dekrete dhe jo Kryeministri. Fundja, a mund të vendos Kryeministri i Serbisë se cili institucion shtetëror duhet të vendosë e të firmos për akëcilën çështje?)
 
22. “ Pas një viti nga miratimi i statutit, do të rishqyrtohet implementimi i tij, duke përfshirë nenin 5 të marrëveshjes së parë, (delegimi i kompetencave shtesë nga autoritet qendrore)?! (A është në marrëveshjen e parë? A e ka Asociacioni gjithëpërfshirës? Pastaj pse me theks të veçantë tek neni 5, tek kompetencat tjera që priten t’i barten “Zajednicës”? Çka do të thotë kjo dhe çka paralajmëron kjo?)
 
            Për më tepër, Zajednica jo vetëm që vishet me pushtet dhe kompetenca, që nuk i ka Asociacioni ekzistues i Kosovës dhe madje asnjë asociacion komunash por, praktikisht, institucionalisht dhe funksionalisht, ajo i ndan komunat serbe nga tërësia kosovare dhe i bashkon nën ombrellën dhe strukturën pushtetore të kontrolluar nga Beogradi! A nuk është ky segregacion struktural që rrënon praktikën e deritashme pozitive të bashkëpunimit ndërkomunal të komunave me përbërje të ndryshme etnike brenda Asociacionit gjithëpërfshirës të komunave të Kosovës?! A nuk prishet kështu modeli i proklamuar kushtetues dhe parimi multietnik në favor të eksluzivitetit etnik? A nuk rrezikohet kështu edhe tërësia tokësore e Kosovës…?
            A nuk i dëshmon kjo paralajmërimet e parasavitesh se decentralizmi etnik që sajonte e fabrikonte komuna xhuxhe e jo funksionale me shtrirje absurde gjeografike, ishte e kundërta e interesit të qytetarëve, madje edhe atyre serbë, dhe në fakt ishte inxhiniering territorial në favor të centralizmit serbomadh nga Beogradi?
            Pse lejohet ky eksperimentim pa presedan me komunitetin serb në Kosovë? A nuk dëmtohet me këtë lojë, jo vetëm procesi i afrimit dhe pajtimit, ndëretnik në Kosovë e më gjerë, por edhe vetë komuniteti serb në Kosovë dhe e ardhmja e tyre e integruar? Rrjedhimisht, a nuk mund të rezultojë kontraproduktive dhe faktikisht edhe antiserbe “Zajednica” antishqiptare dhe antikosovare, siç kanë rezultuar edhe sa e sa projekte të ngjashme diskriminuese antishqiptare! “Zajednica” në shqip ka kuptimin: “bashkësi”; a i kontribuon ajo bashkësisë e bashkëjetesës në Kosovë, apo e rrezikon edhe atë që është ruajtur e është rindërtuar?!
 
            A është e obligueshme (mos) marrëveshja mashtruese, shtrënguese,
                        diskriminuese e abuzueshme dhe e pazbatueshme?
 
            Për dallim nga “Gjykata speciale”, për të cilën të gjithë thoshin se është e padrejtë dhe, madje “padrejtësia më e madhe që i bëhet Kosovës”, por që “duhej të pranohej, se ashtu na thonë miqtë tanë të mëdhenj, dhe se ai që nuk e voton nuk i do të mirën Kosovës”, Marrëveshja e 25 gushtit që na e solli “Zajednicen”, na prezantohet edhe si” zgjidhje e mirë” dhe “fitore bindëse e Kosovës, edhe si një obligim ndërkombëtar ndaj miqve tanë dhe ndaj marrëveshjeve të mëparshme ndërkombëtare! Pra jo vetëm diç e mirë, por edhe dyfish e mirë?!
            Siç na thuhet vazhdimisht e siç shkruhet edhe në hyrje të saj, “Zajednica” na qenkësh: ashtu siç është paraparë me marrëveshjen e parë, me Ligjn për ratifikimin e Marrëveshjes së parë të parimeve dhe me Ligjin e Kosovës”!? Nga një lexim joshterrues, krahasues dhe i nënvizuar pak më lartë, po të dojë kexuesi edhe mund ta shohë sa është dallimi konceptual dhe funksional i “Zajednicës” ekskluzive, në formim, me statutin e Asociacionit eksistues gjithpërshirës si dhe dallimi i gjithë “Marrëveshjes” së fundgushtit me marrëveshjen e parë të prillit. Pse fshihen e injorohen këto dallime thelbësore dhe kush kë dhe pse e mashtron, në këtë mënyrë?!
            Pse harrohet e injorohet  fakti, si u imponua, si u prezantua dhe si u miratua edhe e famshmja Marrëveshja e parë e normalizimit? A ishte kushtetues autorizimi pararak dhe “bjanko” për nënshkrim e kësaj “marrëveshjeje” dhe si u zie, si u servir, dhe si u legjitimua ajo? Pse u injoruan rekomandimet e Rezolutës së Kuvendit për dialogun dhe rekomandimet për mostejkalimin e kornizës teknike dhe për respektim të parimit të reciprocitetit, sovranitetit dhe integritetit? A është kushtetuese referenca e adresës ligjore në paragrafin 2 të marrëveshjes së parë, krahas ligjit të aplikueshem edhe të “LigjiKushtetues”, të cilin Kosova nuk e ka, por e ka Serbia!? Pse kjo referencë dhe çka paralajmëron ajo? Dysi ligjore apo ndryshime tjera në Kushtetutë? Në variantin shqip kjo shprehja në anglisht e serbisht: “ligji kushtetues”, modifikohet dhe prezentohet si e “drejtë kushtetuese?! Kush kë e mashtron, në këtë mënyrë, dhe çka do të thotë kjo?
            Përveç kësaj, a është dhe sa është kjo (mos) Marrëveshje, në (dis) harmoni me ligjin e Kosovës për Vetëqeverisjen vendore, me Kushtetutën e Republikës së Kosovës si dhe me frymën dhe shkronjën e Kartës Evropiane për vetëqeverisjen lokale dhe Konventa kornizë për të drejtat e pakicave?!
 
            Ligji për vetëqeverisjen vendore, Neni 15, Parimi i subsidiaritetit, thotë:
 
            “Komunat i ushtrojnë kompetencat e tyre sipas parimit të subsidiaritetit.Ndërkaq, Neni 31, Të drejtat e komunave për të formuar asociacione, thekson:
 
            “Për mbrojtjen dhe promovimin e interesave të tyre të përbashkëta, komunat formojnë dhe marrin pjesë në asociacionet që funksionojnë, në pajtim me ligjin”. Pra asociacione dhe në pajtim me ligjin.
 
            Ngaanatjetër, Neni 79. Llojet e shqyrtimit, sanksiononinstitucioninsubordinues të“shqyrtimit të ligjshmërisë”, ndërsa,sipas nenit 79.2 “Shqyrtimi administrativ i funksionimit të komunave në fushën e kompetencave të deleguara i nënshtrohetmbikqyrjes së ligjshmërisë dhe përshtatshmërisë së veprimeve”.
            A nuk i tejkalon marrëveshja e gushtit këto dhe instrumente tjera si këto që janë në frymën e Kartës Evropiane dhe praktikave të të gjitha vendeve demokratike?!
            Edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Neni 12.2 [Pushteti Lokal] thekson se: “Organizimi dhe kompetencat e njësive të vetëqeverisjes lokale rregullohen me ligj”, (pra me ligj dhe jo me marrëveshje.!).
 
            Përveç kësaj, paragrafi 4 i nenit. 47 të Kushtetutës obligon: “Ushtrimi i këtyre të drejtave do të bartë me vete detyrimet dhe përgjegjësitë për të vepruar në pajtim me Ligjin e Republikës së Kosovës, dhe nuk i cënon të drejtat e të tjerëve”.
 
            Ngjashëm me si më lartë, edhe Karta Evropiane e Vetëqeverisjes Lokale, Nenet 3, 4, 10 etj të drejtat e komunave dhe të drejtën e tyre për asocim dhe partneritet e vendos qartësisht dhe shprehimisht: brenda kornizës së Ligjit “dhe “brenda kufijve ligjore”.
 
            Edhe Rezoluta (e palavdishme) e Kuvendit për Marrëveshjen e Normalizimit”, “jep pëlqim” për “dialog në pajtim me rendin kushtetues “dhe “me pjesëmarrje të komisioneve parlamentare” dhe kërkon që “marrëveshjet” (pra jo një marreveshje derivuese, por marrëveshjet, në shumës) “ratifikohen nga Kuvendi i Kosovës”; pse anashkalohen këto obligime dhe a nuk janë këto shkelje të rënda procedurale, ligjore e Kushtetuese? Për çfarë arsye bëhen këto truqe e marifete, nëse jo për lajthitje e mashtrim të opinionit?!
Autori është ish i burgosur politik dhe aktivist shumëvjeçar në politikën kosovare, fillimisht si pjesëtar i LDK-së, më pas i PDK-së dhe së fundmi i lëvizjes “Vetëvendosje”.
 

 (Nesër pjesa e fundit)