“Tërheqja taktike” e Kadri Veselit

E publikuar: 11/01/2018 16:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kur më 22 dhjetor të vitit të kaluar deputetët e PDK’së po vendosnin nënshkrimet në një kërkesë për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit, në të cilën do të provohej që të shfuqizohej ligji për Gjykatën Speciale, Kadri Veseli nuk reagonte ndaj asaj që pritej të ndodhte. Në cilësinë e kryetarit të Kuvendit ai po bënte përpjekje që kërkesën ta procedonte në kryesi, e më pas në seancë, por nuk iu dëgjua zëri të komentojë aventurën e rrezikshme të deputetëve të partisë së tij me aleatë.

Gati tri javë pas natës më të keqe që nga lufta, siç u cilësua nga një diplomat, Veseli zgjodhi të rrëfehet. Nëpërmjet një shkrimi të gjatë, ai u përpoq të shfaqet si një “zë i arsyes”, duke thënë se Gjykata Speciale nuk mund të ndalej.

Gjithçka do të ishte në rregull me deklaratat e tij, po që se Veseli nuk do të ishte pjesë e treshes politike institucionale që me vetëdije po e çonte Kosovën në qorrsokak. Gjithçka do të ishte në rregull, po që se vetë Veselit të mos e kishte pjesën e vet të përgjegjësisë për atë që ka ndodhur, për akthin dhe pasigurinë e krijuar tek qytetarët, për dëmin e shkaktuar të ardhmes së vendit.

Gjithë ato që i tha në shkrimin e tij të gjatë, Veseli ka mundur t’ua thotë deputetëve të vet natën e 22 dhjetorit. Ka mundur t’ua sqarojë se iniciativa për shfuqizimin e Gjykatës… është e kotë dhe nuk ka nevojë të futen në lojëra të tilla.

Por, ai nuk e bëri një gjë të tillë. Natyrisht, me bekimin e tij, deputetët vunë emrat në listë. Nuk ka si të jetë ndryshe. Është budallallëk të mendohet se deputetët e PDK’së vepruan ashtu pa dijeninë e Veselit.

* * *

Por, pse Veseli zgjodhi të reagojë “post festum”? Tha se nuk kishte dashur të na prishë festat, thua se festat nuk ishin pritur për qytetarët me vetë aventurën e 22 dhjetorit.

Veseli foli vetëm pas reagimeve shumë të ashpra ndërkombëtare dhe presionit shumë të madh të qytetarëve të vendit, të cilët kundërshtuan idenë që ligji për Gjykatën… të zhbëhet.

Më shumë se për gjykatën, qytetarët ishin dhe vazhdojnë të jenë të brengosur për të ardhmen e vet, të ardhmen e shtetit në të cilin jetojnë, andaj edhe reagimet ishin të shumta dhe serioze.

Me reagimin e tij të vonshëm, Veseli u përpoq të kapitalizojë në favor të vetin dështimin e iniciativës. Madje nuk ngurroi të kritikojë edhe partitë rivale. Por, kryetari i PDK’së nuk mund të shfajësohet në këtë mënyrë dhe të heq përgjegjësinë nga vetja për atë që ka ndodhur. Gjithçka ishte e orkestruar me dijeninë e krerëve shtetërorë dhe asnjë version tjetër nuk është i besueshëm.

Në shkrimin e tij, Veseli natën e 22 dhjetorit e quan të pazakontë, por pranon se ajo duhet të mbetet mësim për të gjithë. “Së pari iniciuesit, kur e menduan shfuqizimin e Gjykatës Speciale, duhet ta kishin menduar më mirë, pra edhe reaksionin kundër. Ata, në dështimin e tyre, treguan se nuk ishin të përgatitur dhe seriozë për ta shtyrë përpara iniciativën e tyre. Do të thotë se nuk ishin të gatshëm të merrnin përgjegjësi”, shkruan Veseli.

Por, kush ishin “inicuesit”, që tash po kritikohen nga Veseli? Përfaqësuesit e shoqatave të instrumentalizuara, të dala nga lufta dhe në masë të madhe deputetët e partisë së tij. Për “reaksionin kundër” do të duhej të kishte menduar vetë Veseli dhe t’ua thotë “inicuesve”. Përndryshe, deklaratat si këto dalin të mos jenë më shumë se bllof politik.

* * *

Në fjalorin e luftës njihet “tërheqja taktike”. Edhe gjatë luftës së fundit në Kosovë është përmendur disa herë të ketë pasur situata të tilla, kur luftëtarët e UÇK’së janë detyruar të tërhiqen në situata të pafavorshme përballë forcave serbe.

Qasja e Kadri Veselit ndaj Gjykatës Speciale mund të shpjegohet pikërisht me këtë fjalë – “tërheqje taktike”.

Kryetari i PDK’së foli vetëm pasi folën të gjithë, duke u përpjekur të tërhiqet taktikisht dhe pa marrë përgjegjësi nga një situatë, bashkautor i krijimit të së cilës ishte vetë.

Por, kjo nuk e amniston nga përgjegjësia për gjithë situatën e krijuar. “Partnerët tanë perëndimorë janë pjesë pozitive e rrugëtimit drejt lirisë dhe shtetbërjes sonë”, shkruan Veseli. Por, pikërisht ai dhe bashkëluftëtarët e tij, në qeveri e jashtë saj nuk ngurruan të provojnë t’ua ngulin thikën pas shpine po këtyre partnerëve. Andaj tash gjithçka tingëllon e pasinqertë dhe hipokrite. Një “tërheqje taktike” e dështuar.