Portieri i Barcelonës, Marc-Andre ter Stegen e pranon se Reali i Madridit nuk i pëlqen aspak si klub. Gardiani gjerman nuk zgjedh diplomacinë për të bërë një koment rreth rivalëve më të mëdhenj të klubit katalanas në La Liga, duke i hedhur benzinë një zjarri që është ndezur prej kohësh mes të dy kampeve. “Reali i Madridit nuk më pëlqen aspak”, deklaron portieri në një intervistë për mediat iberike, duke shtuar madje me jo pak ironi se sfida kundër Espanyol mund të konsiderohet shumë mirë një derbi duke qenë se ndeshen skuadra nga i njëjti qytet.
“Gjithsesi më duhet të theksoj se mes dy klubeve ka shumë respekt pasi luajmë ndeshje me intensitet të lartë”, shton 23-vjeçari që në sezonin e tij të parë me Barcelonën fitoi gjithçka edhe pse u aktivizua vetëm në ndeshjet e Kupës së Mbretit dhe UEFA Champions League. Në fund, Ter Stegen thekson se Barcelona dëshiron të përsërisë suksesin e sezonit të shkuar edhe pse nuk do të jetë e lehtë pasi kundërshtarët do të sillen ndryshe në fushën e lojës.