Në historinë e boksit, zakonisht kur ka duele të shumëpritura siç ishte ndeshja e shekullit mes Mayweather dhe Pacquiaos, disa kënaqen me rezultatin, ndërsa disa të tjerë normalisht ndihen të zhgënjyer. Në këto raste zhgënjimi është aq i madh, sa tifozët refuzojnë ta shikojnë të vërtetën në sy dhe kërkojnë përgjegjësin apo një shkak sado të vogël për t’i hedhur fajin e humbjes. Pak a shumë e njëjta gjë ka ndodhur me një grup fansash të filipinasit, të cilët kanë ngritur dhe shpërndarë në internet një teori konspirative që shkon në kufijtë e absurdes.
Sipas tyre, gjyqtarët në të vërtetë ia kanë dhënë fitoren Manny, por kanë ngatërruar ngjyrat e dy boksierëve dhe për rrjedhojë pikët e tij kanë shkuar për llogari të amerikanit. Besojeni apo jo, kjo është teoria që po çmend rrjetet sociale dhe ata që e besojnë nuk janë të paktë. Siç tregohet edhe në këtë foto, emri i Floyd Mayweather nuk përputhet me ngjyrën blu të anës së tij, ashtu siç nuk përputhet e kuqja që ishte ngjyra e krahut të Manny Pacquiaos. Gjithsesi për çdo dyshues, bëhet fjalë thjesht për një ngatërresë ngjyrash në fletën e gjyqtarëve dhe kjo nuk do të thotë asgjë sepse pikët janë riparë e llogaritur kushedi sa herë deri në momentin e shpalljes së fituesit.