Policia e Korçës ka njoftuar arrestimin e një 58 vjeçari, pasi kishte tentuar të vriste me thikë fqinjin e tij pas një konflikti me të.
Specialistët e Seksionit për Krimet e Rënda, bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit Skënder Shahinasi, 58 vjeç, banues në Korçë.
Arrestimi i tij u bë pasi, dje në lagjen nr 18, në qytetin e Korçës, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, me shtetasin E.SH, 58 vjeç, ka tentuar ta vrasë këtë të fundit, duke e goditur disa herë, me sende të mprehta (thikë). Shtetasi E.SH, është transportuar në Spitalin Rajonal të Korçës, ku ndodhet nën kujdesin intensiv të mjekëve. Gjatë momentit kur autori i kësaj ngjarje, do të shoqërohej nga shërbimet e Rendit, për në Komisariatin e Policisë Korçë, në afërsi të banesës të tij, ky i fundit u gjet duke mbajtur një sopatë në dorë. Policia sqaron se në cilësinë e provës materiale, Skënder Shahinasit, iu gjet dhe bllokua një thikë (me teh të këputur) si edhe një sopatë. Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprën penale: “Vrasja me dashje, e ngelur në tentativë” parashikuar nga nenet 76 e 22 të Kodit Penal.