Tentativa 5 – Nesër prova e radhës për konstituimin e Kuvendit

E publikuar: 22/04/2025 08:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një tentativë e re për konstituimin e Kuvendit do të bëhet të mërkurën. 

Kjo do të jetë seanca e pestë çdo 48 orë, që nga 15 prilli. 

Lëvizja Vetëvendosje ditën e djeshme nuk e hodhi fare në votim propozimin për zgjedhjen e Albulena Haxhiut si Kryetare Kuvendi dhe seanca u ndërpre për të vazhduar të mërkurën. Nënkryetari i VV’së, Glauk Konjufca, kërkoi kohë shtesë dhe marrëveshje me partitë e tjera politike për këtë çështje. Ndërkohë, PDK dhe LDK i kanë kërkuar VV’së që ta ndërrojë kandidaten, duke ia bërë të qartë se Haxhiun nuk e votojnë.

Menjëherë pas ndërprerjes së seancës, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që të propozojë një kandidat tjetër, pasi që sipas tij Albulena Haxhiu do të dështojë kurdoherë që del në votim.

Ai ka akuzuar Vetëvendosjen dhe partnerët e saj se po e bllokojnë konstituimiin e institucioneve dhe vullnetin e qytetarëve të Kosovës të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Koalicioni Vetëvendosje-GUXO-Alternativa po, siç kemi thënë e ka të drejtën për ta propozuar kryetarin apo kryetaren e Kuvendit, por jo për ta imponuar me çdo kusht për këdo që propozon. Sot po e shihni se këta po e vazhdojnë bllokadën e krijimit të institucioneve. Në vend që të propozonin një kandidat tjetër, kandidatja që ka dështuar disa herë, e që do të dështojë edhe sot, nuk mund të jetë më e rëndësishme se krijimi i institucioneve. Rrugëdalja është e qartë. LVV duhet ta gjejë një kandidat tjetër sepse kandidatja që ka dështuar do të dështojë përsëri. Nuk duhet ta lënë peng Kuvendin për shkak të tekeve apo problemeve të brendshme.”, tha Krasniqi.

Sipas tij, Haxhiu është simbol i dështimeve.

“Ajo është simbol i dështimit të kësaj qeverie, krejt mandatin e ka pas me skandale të ndryshme prej zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit e deri të ulja e buxhetiti për mbrojtjen e çlirimtarëve.”, shtoi Krasniqi.

Ai tha se rruga e zhbllokimit është e qartë.

“Rruga është e qartë duhet të ndryshojnë kandidatin. Nuk më takon mua të ia zgjedhë kandidatin VV-së. Qikjo jo, i kanë edhe 47 të tjerë le të provojnë.”, tha Krasniqi.

Krasniqi i përmendi edhe zgjedhjet e reja si opsion.

Pas Krasniqit, u deklarua edhe Hekuran Murati nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai tha se partitë politike duhet të bëhen bashkë dhe të ulen e të arrijnë dakordim për kryeparlamentarin, sikurse vepruan të shtunën për raportin e Komisionit për Verifikimin e Mandateve të deputetëve.