Tensionohet situata, Ukraina ndalon hapësirën ajrore për avionët rus

E publikuar: 12/10/2015 18:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kievi zyrtar ka njoftuar se do të ndaloj të gjitha fluturimet nga Rusia duke filluar nga 25 tetori si kundërmasë për një veprim të njëjtë nga ana ruse.

Sipas Ministrisë së Infrastrukturës në Ukrainë, ndalesa do të aplikohet për të gjitha kompanitë ruse të fluturimit, dhe nuk do të tërhiqet derisa Moska të heq ndalesën që i ka vënë avikompanive ukrainase më 29 shtator, transmeton Indeksonline.

Më 29 shtator të këtij viti, Rusia kishte vendosur ndalesë për të gjitha kompanitë ukrainase, si kundërmasë ndaj ndalesës së Ukrainës që kishte ndaluar të gjitha kompanitë ruse përveç njërës që të fluturojnë në qiejt e saj, më 16 shtator.

Ukraina nuk e kishte sanksionuar vetëm kompaninë ruse “UTair”, gjersa në listën e ndalesës kishte përfshirë kompanitë “Aeroflot”, “Transaero”, “S7”, “Red Wings”, “Gazpromavia”, “Rossiya” dhe “Ural Airlines.”

Kryeministri ukrainas, Arseny Yatsenyuk kishte thënë se kundërpërgjigja e Moskës ishte e pabazë. “Nëse rusët mendojnë se duke bërë kështu do të shkatërrojnë linjat tona ajrore, e kanë gabim”, kishte thënë ai.

Deri më sot nuk ka pasur kundërmasa.