Tensione në Kuvendin e Maqedonisë ku po shqyrtohet ligji për gjuhët

E publikuar: 14/03/2018 16:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ligji për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni është kthyer për miratim në Kuvend nën tensione brenda dhe jashtë ndërtesës së këtij institucioni. Ky ligj, mundëson një shtrirje më të gjerë të përdorimit zyrtarë të gjuhës shqipe, si në nivelin qendror të pushtetit ashtu edhe atë lokal.

Seanca është penguar nga ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, i cili ka penguar kryetarin e Kuvendit, talat Xhaferin që të udhëheqë me seancën.

Krahas kundërshtimeve të opozitës në seancë, edhe një grup i qytetarëve ishte grumbulluar para ndërtesës së Kuvendit për të protestuar dhe kërkuar që ligji të mos miratohej.

Në fillim të seancës kryetari i Grupit Parlamentar të partisë opozitare, VMRO DPMNE, Ilia Dimovski tha se kësaj partie politike me pa të drejtë po i mohohet e drejta për dorëzimin e amendamenteve gjatë leximit të tretë të ligjit.

Dimoski tha se kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi personalisht i ka njoftuar deputetët për kohën e caktuar kur mund të deponohen amendamentet.

“Në bazë të rregullores së punës së Kuvendit të Maqedonisë dhe njoftimit të kryetarit të Kuvendit, ne kemi të drejtë për të dorëzuar amendamente“, tha Dimoski duke përsëritur qëndrimet e VMRO DPMNE-së se ligji është në kundërshtim me Kushtetutën dhe, sipas tij, ai cenon karakterin unitar të Maqedonisë.

VMRO-DPMNE kishte proceduar rreth 35 mijë amendamenteve për plotësim-ndryshimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, veprim ky që nga partitë shqiptare në Maqedoni ishte cilësuar si përpjekje për bllokimin e tërësishëm të ligjit.

Kuvendi i Maqedonisë e kishte miratuar këtë ligj qysh në muajin janar, por ishte presidenti Gjorgje Ivanov ai i cili nuk e kishte dekretuar atë dhe tani i mbetet sërish Kuvendit që ta shqyrtojë dhe miratojë me ndryshime e plotësime eventuale.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi nuk ka sqaruar se si do të zhvillohet procedura për anashkalimin e mbi 35 amendamenteve të propozuara nga partia maqedonase në opozitë VMRO DPMNE. Kjo e fundit ka paralajmëruar tashmë disa herë se në rast mos shqyrtimi të amendamenteve të propozuara për Ligjin për përdorimin e gjuhëve, shumica do të rrezikojë proceset reformuese, duke paralajmëruar kështu edhe tërheqje nga grupet e punës dhe mos mbështetje të ligjeve reformuese, miratimi i të cilëve kërkon 2/3 e votave të deputetëve.

Ndërkaq Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela para fillimit të seancës parlamentare tha se pavarësisht që ai dhe partia e tij nuk janë më pjesë e Qeverisë, do të votojnë për miratimin e ligjit, sipas marrëveshjes kur kishte qenë pjesë e koalicionit qeverisës.

“Unë kam ardhur të votoj ligjin e gjuhëve bazuar në marrëveshjen e formimit të qeverisë”, tha Sela.

Para fillimit të seancës dhe gjatë mbajtjes së saj, para ndërtesës së Kuvendit të Maqedonisë janë zhvilluar protesta kundër miratimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Protestuesit, janë shprehur kundër miratimit të ligjit që mundëson në shtrirje më të gjerë të përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe. Ata kanë brohoritur “tradhtarë”, “kombi nuk është në shitje” dhe “shitës të shtetit”. Megjithëse protesta po vazhdon të jetë e qetë dhe pa ndonjë incident para godinës së institucionit ligjdhënës vërehet një prani e theksuar e forcave policore.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, kishte paralajmëruar miratimin e ligjit të gjuhëve brenda kësaj jave.

Zaev njëherësh ka refuzuar ofertën e VMRO-DPMNE-së për ta tërhequr nga procedura Ligjin për përdorimin e gjuhëve në këmbim të mbështetjes së plotë nga ana e deputeteve të kësaj partie për miratimin e ligjeve të nevojshme për realizmin e reformave.

Ndryshe leximi i tretë i ligjit që rregullon përdorimin e gjuhëve vjen pasi presidenti i shtetit nuk e dekretoi të njëjtin. Ky ligj ishte miratuar në Kuvend në muajin janar, me 69 vota.