Policia e Kosovës ka parandaluar me sukses një përleshje të mundshme fizike mes dy grupeve të të rinjve në Mitrovicën e Jugut, duke arrestuar 15 persona të dyshuar.
Sipas njoftimit zyrtar, njësitet policore nga Stacioni Policor Jugu në Mitrovicë kanë ndërhyrë me efikasitet pas pranimit të informatave operative lidhur me një përplasje të planifikuar. Përmes veprimeve të koordinuara në dy lokacione të ndryshme, janë lokalizuar dhe ndaluar të dyja grupet, duke parandaluar përshkallëzimin e situatës.
Pesëmbëdhjetë persona të dyshuar janë arrestuar dhe shoqëruar në stacionin policor, ku po zhvillohen procedurat e intervistimit në prani të prindërve dhe përfaqësuesve të Qendrës për Punë Sociale (QPS). Hetimet e mëtejme po vazhdojnë në koordinim të ngushtë me Prokurorin e Shtetit.

















