Tenderi 16 milionë euro i Ministrisë së Infrastrukturës për mirëmbajtjen autostradave përfundon në OSHP

E publikuar: 25/07/2025 18:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Tenderi 16 milionë euro i Ministrisë së Infrastrukturës ka përfunduar në Organin Shqyrtues të Prokurimit si shkak i një ankese që një operator ekonomik e ka parashtruar ndaj procedurave të ndjekura nga autoriteti kontraktues.

Kompania “Sallahu” SH.P.K. nga Kaçaniku ka dorëzuar më 15 korrik 2025 një ankesë formale në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), duke ngritur një sërë pretendimesh për shkelje të Ligjit për Prokurimin Publik, në lidhje me tenderin për “Mirëmbajtjen rutinore dhe dimërore të Autoudhëve A7 dhe A6 për periudhën 2025-2028”, me një vlerë të parashikuar prej 15,942,000.00 euro, shkruan Infosot.

Pretendimet e Operatorit Ekonomik “Sallahu” përfshijnë disa çështje kyçe, për të cilat kompania kërkon ndërhyrjen e OSHP-së. Ndër to, më e rëndësishmja është shkurtimi i afatit për dorëzimin e ofertave, të cilin kompania e konsideron të kundërligjshëm dhe në kundërshtim me nenin 46 të Ligjit për Prokurimin Publik.

Sipas saj, Ministria ka pasur mundësi kohore për nisjen e procedurave pa nevojë për shkurtim afatesh, pasi ka qenë në dijeni për përfundimin e kontratave ekzistuese më 25 korrik 2025. Në mungesë të një emergjence të paparashikueshme, siç kërkon ligji, ky shkurtim konsiderohet i pajustifikuar dhe kufizues për konkurrencën.

Një tjetër pikë e kontestuar ka të bëjë me përjashtimin e përvojës në ndërtimin dhe rehabilitimin e rrugëve lokale nga kriteret e tenderit. “Sallahu” kërkon që edhe këto përvoja të merren parasysh, duke iu referuar nenit 69 të LPP-së, ku përmendet mundësia për përfshirjen e të gjitha aktiviteteve ndërtimore të periudhës trevjeçare të mëparshme si dëshmi e kualifikimit.

Po ashtu, kompania konteston specifikime teknike të cilat i cilëson si diskriminuese, siç janë kërkesat për kapacitet të caktuar motori tek automjetet dimërore apo kufizime në peshën e cilindrave vibrues, duke argumentuar se këto parakushte pa baza të qarta teknike dëmtojnë konkurrencën dhe favorizojnë operatorë të caktuar.

Pjesë e ankesës janë gjithashtu pretendime për trajtim jo të barabartë dhe mungesë të qasjes së drejtë në këtë tender të rëndësishëm. Kompania kërkon nga OSHP që ankesa e saj të aprovohet si e bazuar, autoriteti kontraktues të riformulojë kriteret e dosjes së tenderit në përputhje me ligjin, dhe të zgjatet afati i dorëzimit të ofertave, për të garantuar një garë të drejtë për të gjithë operatorët e interesuar.

Nëse OSHP e aprovon ankesën, Ministria e Infrastrukturës mund të detyrohet të rishikojë gjithë procesin, përfshirë kushtet dhe afatet e këtij tenderi shumë të rëndësishëm për mirëmbajtjen e rrugëve kryesore në vend.

Po ashtu kjo ankesë në OSHP mund ta rrezikojë mirëmbajtjen e autostradave, për shkak të skadimit të kontratës./Infosot/

Ankim OSHP ORGANI SHQYRTUES I PROKURIMIT (Dokument)