Kërkojnë të jenë sërish të virgjëra dhe kjo sepse ndihen të detyruara. Edhe pse jetojmë në kohëra moderne, duket se mentaliteti i shqiptarëve nuk ka ndryshuar shumë, madje vazhdon të jetë i qartë në drejtim të faktit se, vajza para se të martohet duhet të jetë “e paprekur”.
Drejtoresha e maternitetit “Koço Gliozheni”, Rubena Moisiu, shpjegon në lidhje me kërkesat e vajzave për të “rifituar” virgjërinë nëpërmjet ndërhyrjeve gjinekologjike.
Ndërkohë, edhe gjinekolog të tjerë rrëfejnë rreth fenomenit.
“Nuk do të thotë se janë vetëm vajzat e zonave rurale që e kërkojnë të jenë sërish të virgjëra duke rindërtuar himenin, por edhe vajzat që jetojnë në qytetet e mëdha.
Dhe nuk do të thotë se janë vetëm emigrantët, sepse ata emigrantë janë shqiptarë dhe shqiptarë si puna e tyre ka plot”,- pohon Rubena Moisiu, duke shtuar se virgjëria akoma konsiderohet në Shqipëri si një vlerë.
Por fatkeqësisht, duhet pranuar se bashkë me këtë, ka gjithmonë e më shumë kërkesa për riformimin e himenit përpara marrëdhënieve seksuale.
Të ndodhur në këto rrethana, gjinekologët theksojnë se janë meshkujt që i kërkojnë medoemos femrat e virgjëra, ndaj dhe ato janë të detyruara t’iu drejtohen mjekëve./Mapo