​Temperaturat e larta: Kërkohet zbatimi i masave për mbrojtjen e punëtorëve

E publikuar: 22/07/2025 10:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Shëndetësisë ka rekomanduar që institucionet publike dhe private të zbatojnë masa mbrojtëse për mbrojtjen e punëtorëve nga temperaturat e larta, për periudhën 22 – 25 korrik 2025.

“Temperaturat e larta ndikojnë negativisht në shëndetin e njeriut, veçanërisht tek grupet më të ndjeshme të shoqërisë, si: fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike, si dhe punëtorët që punojnë në ambiente të hapura apo në kushte pune me temperatura të larta”, tha Ministria e Shëndetësisë të martën, më 22 korrik derisa ka ftuar të gjitha institucionet që t’i respektojnë rekomandimet “me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të punëtorëve dhe të grupeve të tjera të ndjeshme”.

Disa nga rekomandimet përfshijnë:

1.1 Të shmanget puna në ambient të jashtëm prej orës 11:00–16:00;

1.2 Gratë shtatzëna të lirohen nga puna nga ora 11:00 deri në 16:00, nëse në vendin e punës nuk plotësohen kushtet sipas pikave 1.4, 1.5, dhe 1.6;

1.3 Personat me sëmundje kronike të punojnë me orar të shkurtuar, maksimumi 4 orë në ditë;

1.4 Të përshtaten oraret e punës për të punësuarit, në mëngjes herët ose pasdite vonë, përfshirë edhe mundësinë e punës nga shtëpia;

1.5 Të sigurohet ajrosja e mjaftueshme në vendet e punës të mbyllura;

1.6 Të vendosen pika freskimi (përdorimi i çadrave të lëvizshme dhe materialeve tjera për të krijuar hije apo zona freskimi) në vend punishtet e hapura për freskim të punëtorëve dhe të sigurohet qasje në ujë të ftohtë për punëtorët;

1.7 Të shpërndahen informacione për mënyrat e mbrojtjes nga nxehtësia;

Ministria e Shëndetësisë ka rekomanduar edhe masat mbrojtëse të përgjithshme për qytetarët ndaj ekspozimeve në temperatura të larta.

2.1 Të shmanget qëndrimi në ambientin e jashtëm në kulmin e nxehtësisë;

2.2 Të konsumohet ujë për t’u mbrojtur nga dehidrimi dhe të shmangen pijet e gazuara;

2.3 Të përdoren kapele dhe syze mbrojtëse nga dielli kur qëndrohet jashtë;

2.4 Mos të lihen fëmijët vetëm në veturë derisa prindërit/kujdestarët kryejnë ndonjë punë;

2.5 Të kontaktohen rregullisht të afërmit e moshuar ose me sëmundje kronike për të vlerësuar nevojat shëndetësore të tyre;

2.6 Sipas nevojës të kërkohet ndihmë në shërbimet e urgjencës mjekësore, telefoni 194.

Vendimi fillon të zbatohet prej datës 22 dhe vlen deri më datë 25 korrik 2025.