Televizioni zviceran SRF për Maqedoninë: Tri dorëheqje dhe një dyshim i tmerrshëm

E publikuar: 13/05/2015 13:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas përleshjeve vdekjeprurëse mes policëve dhe gjoja terroristëve shqiptarë kanë dhënë dorëheqje dy ministra dhe shefi i shërbimit sekret. Ndërkohë po shtohen indikacionet se qeveria mund t’i ketë inskenuar luftimet – opozita po bën thirrje për protesta masive.

Një zëdhënës i qeverisë deklaroi se ministrja e brendshme Gordana Jankulovska, ministri i transportit Mile Janakieski dhe shefi i shërbimit sekret Sasho Mijalkov kanë dhënë dorëheqje pas luftimeve të ashpra në Maqedoni. Sipas zëdhënësit, kryeministri Gruevski i ka pranuar dorëheqjet.

Gjatë përleshjeve në qytetin e Kumanovës në fundjavë u vranë 22 njerëz dhe 37 u plagosën. Ministria e Brendshme u akuzua se kishte bërë gabime të rënda gjatë aksionit policor kundër shqiptarëve të armatosur.

Ndërkohë, sipas televizionit zviceran, po shtohen indikacionet se qeveria qëllimisht ka mundur t’i inskenojë luftimet.

Gjenerali i pensionuar maqedonas Ilija Nikolovski përsëriti tezën e tij se të armatosurit nuk kanë qenë terroristë, siç pretendon qeveria, por mercenarë të paguar.

Sipas tij është e pamundshme që një arsenal aq i madh armësh të sillet në vend pa u vërejtur.

Edhe portali «Libertas» kritikoi se nga ana e qeverisë ka vetëm dezinformata. Autoritetet deri më tani nuk kanë sjellë asnjë dëshmi për pretendimin e tyre se bëhej fjalë për terroristë me përvojë, nënvizoi ky medium. As ministrja e brendshme, as kryeministri dhe as gjeneralët e nivelit të lartë në polici nuk u shfaqën gjatë aksionit në Kumanovë. Po ashtu deri më sot nuk është zhvilluar një hetim zyrtar i luftimeve të ashpra.

Opozita maqedonase, e cila tashmë një vit bojkoton parlamentin, ka bërë thirrje për protesta masive të dielën kundër kryeministrit Nikola Gruevski. Konflikti shpërtheu në mes të një krize të rëndë politike në Maqedoni. Qeveria Gruevski po ballafaqohet me akuza të rënda korrupsioni. Opozita e akuzon atë edhe për përgjimin ilegal të 22 mijë njerëzve.

Konflikti në Maqedoni hedh një hije mbi raportin e vështirë mes etnive në këtë ish-republikë jugosllave. Në vitin 2001 në Maqedoni ndodhi një kryengritje e shqiptarëve etnikë. Ajo përfundoi me një marrëveshje, e cila u premtonte më shumë të drejta shqiptarëve.

Por raporti i shqiptarëve ndaj qeverisë në Shkup mbetet i tensionuar. Një e katërta e 2,1 milionë banorëve të këtij shteti ballkanik janë shqiptarë etnikë.

Luftimet në fundjavë ngjallën shqetësime edhe në arenën ndërkombëtare. BE, NATO, OKB dhe qeveria gjermane bënë thirrje për deeskalim. Maqedonia është kandidate për anëtarësim në BE që nga viti 2005 dhe aspiron hyrjen në NATO. /Dialogplus.ch/