Një kronikë televizive ka sjellë realitetin që po jetojnë qytetarët e Mitrovicës, pas dorëheqjes së zyrtarëve serbë nga të gjitha institucionet, përfshirë edhe nga radhët e policisë.
Shefi i Misionit të Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë si dhe përfaqësuesi i EULEX, Larsrs-Gunnar Wigemark, tha për gazetaren Karadaku se shtimi i forcave të EULEX në veri vjen pas kërkesës së bërë nga Policia e Kosovës.
Në emisionin “Ballkan” në Abc i gazetares Linda Karadaku, ai tha se prania e EULEX është për të mbrojtur qytetarët, që askush nga grupet kriminale mos shfrytëzojë momentin dhe të krijojë tensione.
“Shumë gjëra mund të ndodhin, ka një vakum sigurie tani këtu, duke pasur parasysh që shumë nga policët serbë kanë dhënë dorëheqjen, ne si EULEX, misioni I BE-së për sundimin e ligjit, mund ta mbushim atë vakuum vetëm pjesërisht, kemi shtuar patrullat tona, siç e shihni sot kemi një patrullë polake, kemi patrullë italiane dhe janë të gjithë pjesë e njësisë policore të EULEX-it, kështu që ne po shtojmë patrullimet tona, ne po përpiqemi të risigurojmë popullsinë lokale se nuk ka shumë për t’u shqetësuar. Mendoj se mesazhi tani për të gjithë është të jenë të qetë, të mos bëjnë ndonjë gjë të nxituar, të mënjanojnë ndonjë provokim. Kjo shkon sigurisht edhe për policinë e Kosovës që është ende këtu. Mendoj që patët mundësinë ta shihni vetë situatën sot. Ajo që është gjithashtu e rëndësishme është që ne si EULEX nuk mund të marrim përsipër dhe të drejtojmë punën e rregullt, të zakonshme policore këtu. Nuk kemi mandatin për këtë dhe nuk supozohet ta bëjmë. Nuk supozohet ta bëjmë këtë. Policia e Kosovës na ka kërkuar tashmë që të rrisim praninë tonë këtu, të bëjmë më shumë patrullime që po i bëjmë tashmë, dhe e keni parë vetë këtë, përmes mundësive dhe mjeteve që kemi këtu si mision. Policia e Kosovës mund të na kërkojë gjithashtu zyrtarisht që të veprojmë si përgjegjës të dytë të sigurisë në kuptimin e kontrollit të turmave dhe trazirave, ne e kemi këtë mandat ligjor që ta bëjmë këtë. Kjo është diçka që është e qartë. Ne nuk kemi marrë një kërkesë të tillë nga policia e Kosovës në këtë kohë, por e kemi rritur praninë tonë. Ajo që është më e rëndësishmja është që pavarësisht se kush po merret me sigurinë, njerëzit të mbesin të sigurtë këtu dhe të mos ndjehen të pasigurtë, as askush të mos kërcënohet, që askush të mos e shfrytëzojë këtë situatë, elementet kriminalë, apo elementë të tjerë, apo elementë politikë, për ta bërë situatën edhe më keq. Siç mund ta shihni situata është e qetë këtu për momentin, por ne e dimë që situata mund të dalë jashtë kontrolli apo të përshkallëzohet me shpejtësi. Kështu që është shumë e rëndësishme që të gjithë të mbesin të qetë. Dhe siç e shihni ne jemi këtu, është shumë qetë, unë do të takoj kolegët e mi tani në zyrën e EULEX-BE këtu, në anë të stacionit të policisë, ne kemi patrullat tona, kemi kolegët tanë që po bëjnë punën që duhet të bëjnë dhe janë ende duke punuar”, tha Wigemark.
Në të njëjtën linjë me Wigemark ka qenë edhe këshilltari i EULEX, Peter Neunteufl, i cili tha se prania e forcave të EULEX vjen për shkak të pakësimit të radhëve të policisë së Kosovës, pas dorëheqjes së oficerëve serbë.
“Siç e dini është një situatë paksa e vështirë tani ndërkohë që oficerët serbe të policisë kanë dhënë dorëheqjen dhe nuk vijnë në punë, kështu që nuk ka mjaftueshëm oficerë policie, kështu që është një situatë e vështirë. Nëse flas në përgjithësi, policia e Kosovës është e trajnuar shumë mirë. Mund ta them edhe nga përvoja e mëparshme. Policia duhet të pasqyrojë gjithashtu popullsinë. Si në vendin tim, ku kemi shumë komunitete të ndryshme dhe kemi tani oficerë policie serbë, kemi oficerë policie shqiptarë, kemi oficerë policie turq. Policia duhet të jetë një pasqyrë e shoqërisë”, u shpreh Neunteufl