Telekomit mbrëmë iu morën rreth 3.5 milionë euro nga Dardafon

E publikuar: 22/07/2020 12:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas urdhrit të transferit nga përmbaruesi Ilir Mullhaxha autorizuar nga “Z-mobile” për tërheqjen e mjeteve nga Telekomi, fati i kësaj kompanie publike është i paqartë, pasi rrezikon të humbasin të gjithë shërbimet telefonike dhe të rrezikohet edhe siguria kombëtare në vend.

Mbrëmë vonë nga llogaritë bankare të Telekomit janë tërhequr rreth 3.5 milionë euro, aq sa ka pasur kjo kompani në llogari nga pako emergjente fiskale. Kështu ka thënë për KosovaPress kryetari i Federatës së Sindikatës në Telekom, Lamih Balaj. Ndërsa shuma totale që do t’i merret Telekomit është 26.7 milionë euro.

Ai thotë se nesër prej orës 13:00 do të organizojmë protestë, pasi tashmë sipas tij po mbesin pa paga mbi 2 mijë punëtorë në Telekom.

Për tërheqjen e mjeteve nga pako emergjente, që ka ndodhur mbrëmë nga kompania Dardafon, ka reaguar edhe ish-ministri i Financave, Besnik Bislimi.

Eksperti i ekonomisë Safate Gërxhaliu ka thënë për KosovaPress se me këtë akt që ka ndodhur në Telekom, përveç aspektit ekonomik dhe social, Telekomi ka edhe ndikim në sigurinë kombëtare. Mbyllja e kësaj ndërmarrje, ai thotë se kishte me qenë fatale për vendin.

Gërxhaliu: Mbyllja e Telekomit fatale për vendin

“Përveç aspektit ekonomik dhe social Telekomi ka edhe komponentin e sigurisë nacionale dhe me një ndërmarrjet të tillë nuk duhet të luhet, Kosova nuk e ka këtë komodidet. Mbyllja e një ndërmarrjeje publike do të ishte fatale jo vetëm në aspektin ekonomik e strategjik por edhe në aspektin social e mbi të gjitha mbi aspektin sigurisë kombëtare. Prandaj, besoj që qeveria duhet të hulumtojë të gjithë mekanizmat dhe të identifikojë përgjegjësit për një situatë të tillë”, thotë Gërxhaliu.

Ai ka thënë se mungesa e sundimit të ligjit ka sjellë këtë ndërmarrje në falimentim, për çka kërkon nga qeveria të identifikohen përgjegjësit.

Gërxhaliu: Të identifikohen fajtorët

“Emërues i përbashkët i zgjidhjes i të gjitha problemeve në të kaluarën, por dhe sot në Kosovë, është mungesa sundimit dhe ligjit. Në rend të dytë, ne dëgjojmë vetëm për vepër penale dhe për gjoba, por kurrë nuk dëgjojmë për llogaridhënie dhe për dënim të dikujt që ka qenë bartës i një aktiviteti të tillë. Prandaj, në këtë drejtim derisa nuk identifikohet ai që e mbanë përgjegjësinë për hapa të tillë vërtetë do të jetë një situatë e cila do ta dëmtojë Kosovën në forma të ndryshme, por do të dëmtojë edhe ndërmarrjet publike në këtë rast Telekomin e Kosovës. Është koha të identifikohet fajtori dhe përmes përgjegjësisë”, thotë ai.

Ndërsa, ish-ministri i Financave, Besnik Bislimi, ka folur për gjendjen e krijuar në Telekomin e Kosovës, dhe bllokimin e xhirollogarisë së kësaj ndërmarrjeje, pas kontestit me Dardafon.

“Mjetet financiare që i janë marrë Telekomit të Kosovës nga kompania zhvatëse gjatë ditës së djeshme, janë të alokuara nga pakoja emergjente, dhe të njëjtat me vendim të Qeverisë Kurti mund të përdoren vetëm për adresim të problemeve të dala nga masat parandaluese të qeverisë. Çfarëdo përdorimi alternativ përbën keqpërdorim të mjeteve dhe do duhej të sfidohet nga Qeveria Koti”, ka shkruar ai.

Ndërsa, Bordi i Përkohshëm i Telekomit të Kosovës mbrëmë ka dhënë dorëheqje, pasi përmbaruesi ka tërhequr nga xhirollogaria e kësaj ndërmarrjeje mjete për aq ka pasur në llogari bankare. Kujtojmë se në muajin mars, ish-qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti kishte emëruar bordin e ri./kp/