Telekomit të Kosovës sërish i janë bllokuar xhirollogaritë për shkak të borxhit ndaj kompanisë “Dardafon” dhe ky akt sipas kësaj ndërmarrje përbën shkelje të marrëveshjes pasi ishin dakorduar që borxhi të kthehet në afat prej dy vitesh. Telekomi thotë se i është rrezikuar skajshmërisht funksionimi dhe kërkon zhbllokimin e llogarive në mënyrë që t’i hapet rrugë marrëveshjes.
Në një përgjigje për KosovaPress, Telekomi sqaron se kanë pasur dy takime me përfaqësues të kompanisë “Dardafon”, kompania amë e Z Mobile, e që duket se nuk kanë dhënë fryt.
“Telekomi i Kosovës, i vetëdijshëm për gjendjen e krijuar në vazhdimësi, ka realizuar takime të përbashkëta me aksionarin (Qeverinë) dhe kompaninë ‘Dardafon’ për të gjetur zgjidhjen. Së fundmi janë mbajtur dy takime ku prezent ka qenë ministri dhe zëvendësministri i Ekonomisë dhe Ambientit dhe përfaqësuesit e ‘Dardafon’ për të gjetur një zgjidhje”, thuhet në përgjigjen e Telekom.
Më tej, thuhet Telekomi ka propozuar që riprogramimi i borxhit të bëhet për 5 vjet ndërsa pas diskutimeve dhe ndërmjetësimit të qeverisë në parim është vendosur që borxhi të paguhet për dy vjet.
Sipas Telekomit, një konfirmim i tillë ju është dhënë përfaqësuesve të “Dardafon” edhe nga vet kryeministri i vendit në një takim javën që shkoi.
“Kryeministri dhe ministri i Ekonomisë dhe Ambientit ju kanë kumtuar përfaqësuesve të ‘Dardafon’ se qeveria do të ndërmjetësojë këtë marrëveshje dhe do të jetë garantues i saj që borxhi të paguhet brenda dy vitesh. I tërë procesi proceduralisht është shtyrë për disa ditë për shkak se disa zyrtarë të Ministrisë së Financave kanë qenë të infektuar me virusin COVID19”, vijon përgjigja e Telekomit.
Mirëpo edhe pas zotimeve të vet kryeministrit dhe dakordimit që marrëveshja do të nënshkruhet këtë javë, Telekomi thotë se zyrtarët e “Dardafon” me një e-mail kanë kërkuar nga përmbaruesi i tyre që t’i bllokojë llogaritë e Telekomit.
“Kjo që ka ndodhur sot ka qenë një thyerje e marrëveshjes se arritur tashmë dhe kështu kanë rrezikuar skajshmërisht funksionimin e ndërmarrjes. Kërkojmë që menjëherë të zhbllokohen llogaritë tona dhe kështu t’i hapin rrugë marrëveshjes”, përfundon sqarimi i Telekomit të Kosovës për KosovaPress.