Me shumë entuziazëm u prit nga punëtorët e Telekomit, të hënën, ndërprerja e kontratës me Z-Mobile.
Por, në njoftimin për shkëputje të kontratës që Telekomi i ka dërguar kësaj kompanie theksohet mundësia për arritjen e një marrëveshjeje të re.
Në letrën e siguruar nga KTV-ja thuhet se Telekomi e inkurajon Z-Mobile që të vazhdohen bisedimet për një kontratë tjetër.
Nga organizata “Çohu”, që e ka monitoruar këtë proces, thonë se Telekomi assesi nuk do të duhej të nënshkruajë marrëveshje të re me Z-Mobile.
Sipas tyre, çfarëdo kontratë e re do t’i sillte humbje ndërmarrjes publike.
Megjithatë, kryeshefi ekzekutiv i Telekomit, Bedri Istrefi, pa dashur të flasë para kamerës, ka thënë se obligohen që në bazë të marrëveshjes paraprake t’i vazhdojnë negociatat.
Kundër arritjes së një marrëveshjeje të re me Z-Mobile janë edhe punëtorët.
KTV-ja, të mërkurën, ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga Z-Mobile, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.
Telekomi i ka borxh kësaj kompanie rreth 26 milionë euro, të cilin obligohet ta paguajë mbi bazën e vendimit në vitin 2016 të Tribunalit të Arbitrazhit.