Telekomi i Kosovës kërkon mese 22 milion euro nga qeveria e Kosovës

E publikuar: 08/06/2019 04:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Telekomi i Kosovës ka kërkuar nga Qeveria që t’i ndajë një shumë prej 15 milionë eurosh dhe një garanci bankare prej 7.5 milionë eurosh, në mënyrë që të investohet në projekte kapitale, në përpjekje për të stabilizuar gjendjen financiare në këtë kompani, e cila ndodhet në prag të falimentimit.

Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se vlera e kërkuar prej 15 milionë eurove është dividendë që Telekomi i Kosovës e kishte ndarë për Qeverinë në vitin 2015, e cila, sipas pretendimeve të tij, i ishte dhënë Qeverisë në mënyrë joligjore.

Telekomi i Kosovës dikur ka qenë kompania më fitimprurëse në vend, por aktualisht po përballet me krizë financiare.

Për 10 vjet kjo kompani, thotë Istrefi, ka ndarë për Qeverinë e Republikës së Kosovës rreth 480 milionë euro.

​Dividenda, sipas ligjit, ndahet në rast se kompania përkatëse shënon rezultate të mira financiare.

Por,në rastin e Telekomit të Kosovës, sipas Istrefit, kur dividenta ishte ndarë më 2015, kompania ka operuar me humbje financiare.

“Në asnjë institucion publik aty ku punon një kompani me humbje, nuk është e ligjshme dhe parimore të merret dividendë në formën çfarë i është marrë kompanisë. Dhe, ne nuk jemi duke kërkuar lëmoshë nga Qeveria, por jemi duke kërkuar mjetet tona që janë marrë jashtëligjshëm dhe me ato mjete krijohet qëndrueshmëria në investimet kapitale, të cilat kanë mundësi në krijimin e stabilitetit brenda Telekomit të Kosovës”, sqaron Istrefi.

Nëse Qeveria e Kosovës nuk e kthen këtë vlerë të mjeteve, Istrefi thotë se do të ndërmarrin veprime sindikale së bashku me sindikatën e kompanisë.

Telekomi i Kosovës është kompani publike e transformuar në shoqëri aksionare, në të cilën operon telefonia fikse dhe ajo mobile Vala. Operatori Vala ka më shumë se 1.2 milion konsumatorë në nivel vendi dhe dikur njihej si një nga ndërmarrjet më fitimprurëse në vend. Kurse, aktualisht, qarkullim mujor ka deri në 6 milionë euro.

Në Ministrinë e Financave konfirmojnë kërkesat e Telekomit, por thonë se kërkesa për kthimin e dividendës duhet të kalojë në instanca më të larta gjyqësore, në mënyrë që të analizohet ligjshmëria e vendimit të vitit 2015.

Kurse, sa i përket kërkesës për garancinë bankare, Lulzim Rafuna, këshilltar i ministrit të Financave në Qeverinë e Kosovës, thotë se kërkesa është duke u shqyrtuar.

“Ne kemi formuar grupin, i cili grup do të shqyrtojë ligjshmërinë e kërkesës dhe të gjitha kushtet që i kërkon ligji të plotësohen. Ky grup do të komunikojë me zyrtarët e Telekomit, në rast se kanë nevojë për dokumente apo raporte shtesë. Më pas grupi do t’i rekomandojë ministritë për procedurat e mëtutjeshme se si do të veprojë”.

“Po e theksoj se ekziston vullneti dhe jemi për të ndihmuar Telekomin, por për ta ndihmuar konform dispozitave ligjore që janë në fuqi”, thotë Rafuna për Radion Evropa e Lirë.

Në anën tjetër, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, thotë për Radion Evropa e Lirë se “garancia bankare është e nevojshme për investime të domosdoshme dhe urgjente në Telekom, siç është zbatimi i Kodit telefonik +383pastaj pajisjet e përgjimit dhe kostoja e mirëmbajtjes së centraleve të Telekomit”.

Përgjendjen e krijuar në këtë kompani, është themeluar edhe Komisioni Hetimor Parlamentar, i cili tashmë ka filluar intervistimin e personave, të cilët mendohet se kanë qenë të involvuar në nënshkrimin e një kontrate ndërmjet Telekomit dhe kompanisë “Z-Mobile”. Kjo kontratë, sipas ekspertëve, e ka vënë para falimentimit këtë kompani.

Ky Komisionin të enjten ka intervistuar ekspertët e telekomunikacionit, Ismet Hamitin dhe Naim Malokun. Kurse, muajin e kaluar ishte zhvilluar një seancë e jashtëzakonshme parlamentare, ku u shqyrtua gjendja dhe zgjidhja eventuale për shpëtimin e kësaj kompanie, që ka më shumë se 2.500 punëtorë. /RadioEvropaLirë