Telekomi i Kosovës ka humbur 107 milionë euro nga kontrata me Z-Mobile

E publikuar: 24/08/2019 20:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Për dhjetë vjet, Telekomi e Z-mobile kanë qenë në partneritet.

E duket se nga ky partneritet, sipas një raporti të Departamentit Teknik të Telekomit, ky institucion vetëm sa ka pasur humbje.

Ky departament ka llogaritur se kostoja e Telekomit për trafikun e gjeneruar nga numrat Z-mobile, gjatë periudhës 2010 – 2019, arrin në mbi 84 milionë euro

Raporti që e ka siguruar Kohavisioni, ka të paraqitura edhe të hyrat, shpenzimet dhe fitimin e Telekomit, të realizuar nga kontrata me Z-mobile, raporton KTV.

Gjatë kësaj kohe, Telekomi, nga 27%-shi ka realizuar të hyra rreth 36 milionë euro.

E kjo shumë, sipas raportit, është shkrirë për shkak të shpenzimeve për trafikun ndërkombëtar dhe 73% të transferuara te Z-Mobile, për shpenzimet e Country Code për numrat e Z-mobile e shpenzime të tjera.

Duke e lënë kështu Telekomin me vetëm 8 milionë euro fitim.

Ekspertët e Departamentit Teknik të Telekomit, më tutje, kanë treguar edhe për fitimet e humbura gjatë kësaj periudhe dhe për vendimin e Arbitrazhit, duke nxjerrë këtë përfundim:

“Si pasojë e kësaj kontrate dalin këto gjetje empirike si dhe të përllogaritura: 107 milionë euro humbje të deklaruara zyrtare për Telekomin dhe rreth 140 milionë euro është vlera e të hyrave të humbura nga kjo kontratë”, thuhet në përfundimin e Departamentit Teknik të Telekomit.

Departamenti ka kalkuluar edhe fitimin e Z-mobile nga kjo kontratë.

“Nëse bëhet një analizë që nga fillimi i operimit, shihet se Z-mobile ka realizuar 67,885,483 euro të hyra dhe ka realizuar fitim bruto prej 42,001,822 euro nga kjo kontratë. Ndonëse kësaj shume i shtohet edhe shuma e fituar nga vendimi i Arbitrazhit prej 31,178,920 euro, atëherë shihet se Z-mobile ka realizuar fitim bruto në total 73,180,742 euro”, thuhet në raport.

Nga kjo del se nuk ka përputhje mes shifrave të prezantuara nga pronari i Z-Mobile, Blerim Devolli, para Komisionit Hetimor Parlamentar.

Kohavisioni ka siguruar edhe raportin e njërit prej ekspertëve që e ka ndihmuar Komisionin Hetimor Parlamentar për gjendjen në PTK dhe Vala.

Në raportin e tij ai ka konstatuar se Blerim Devolli e ka fshehur të vërtetën për fitimet reale të Dardafon.net, për çka mund të ndiqet penalisht.

KTV-ja posedon edhe një dokument me titull “Raport i aspektit komercial të draft-marrëveshjes MVNO PTK-Dardafon” të datës 20.10.2018, hartuar nga një grup punues që ka shqyrtuar ofertën që Dardafoni ia ka bërë Telekomit.

Ky grup punues, paraprakisht kishte raportuar se nuk duhej të lidhej kontrata.

“Grupi, në mënyrë unike, konstaton se oferta finale e Dardafon L.L.C, e datës 08.10.2008 me përqindje të ndarjes së të hyrave 22% (PTK) – 78% (Dardafon) nuk ka arsyeshmëri strategjike e aq më pak komerciale për PTK –në”, thuhet në raportin e grupit punues.

Telekomi i Kosovës, më 30 qershor 2019, e ka ndërprerë kontratën me Z-mobile/Dardafon.net. Tashmë kjo ndërmarrje është në proces të privatizimit.