Telekom Albania, operatori i dytë i telefonisë celulare në vend ka vendosur që të shpërndajë 50 miliardë lekë(400 milionë euro) si dividend për aksionerët e Cosmote Mobile Telecommunication. Vendimi është marrë në Mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës sëShoqërisë në 22 prill, pak ditë përpara kalimit përfundimtar tëaksioneve të Telekom Albania nga grekët e Cosmote te bullgaro-shqiptarët e Albania Telecom Invest AD, që u finalizua në 7 maj.
Sipas procesverbalit të mbledhjes, z. Dimitrios Paschos, përfaqësues i Cosmote Mobile Telecommunication ka deklaruar se shoqëria ka një fitim të grumbulluar të pashpërndarë në formën e rezervave, nga vitet 2001 deri në vitin 2010 dhe që tani do të shpërndahen në formën e dividendit për aksionarët. Z Paschos shpjegoi se shuma që do t’u shpërndahet aksionerëve në formën e dividendit është në vlerën e rreth 50 miliardë lekëve.
Shuma e shpërndarë përfaqëson një vlerë prej rreth 61.5 mijë lek për aksion, për një total prej rreth 813.8 mijë aksionesh dhe do të paguhet në euro, bazuar në kursin e datës 19.04.2019, prej 1 eur=123.83.
Niveli më i lartë i fitimeve të pashpërndara ishte në 2008-2009, prej rreth 19 miliardë lekësh, kohë kur operatori celular ishte në ditët më të mira të tij dhe kishte norma fitimi para taksave prej mbi 50%.
Kompania do të paguajë si tatim mbi dividend 4 miliardë lekë, teksa përfiton nga efekti prapaveprues i nivelit të ri të tatimit mbi dividend prej 8% (që hyri në fuqi në 1 janar, por shtrihet dhe mbi fitimet e pashpërndara të viteve të mëparshme), nga 7.5 miliardë lekë që do të paguante nëse dividendi do të ishte 15%.
Shitja e Telekom Albania për 50 milionë euro
Grupi grek OTE – i cili është në pronësi të rrjetit gjerman të telekomunikacionit, Deutsche Telecom – dhe zotëronte 99.79% të aksioneve të Telekom Albania – njoftoi zyrtarisht në 23 janar se “OTE ka hyrë në një marrëveshje për të shitur kuotën e saj të plotë në Telekom Albania Sh.A. (Telekom Albania) te kompania bullgare Albania Telecom Invest AD për një shumë totale prej 50 milionë eurosh. Albania Telecom Invest AD kontrollohet nga z. Spas Roussev, aksioner kryesor i operatorit të telefonisë bullgare Vivacom, dhe nga z. Elvin Guri, një investitor bullgaro-shqiptar”.
Telekom Albania kishte të ardhura prej 9.1 miliardë lekësh në 2017-n, ndërsa raportoi humbje tepër të larta prej 4.8 miliardë lekësh (më se gjysma e të ardhurave) në 2017-n, apo rreth 36 milionë euro, pas fitimeve minimale prej 155 milionë lekësh në 2016-n, sipas bilancit zyrtar. Humbjet erdhën pas një periudhe të artëfitimesh.
Rekordi është arritur në vitin 2008, me fitime para taksave që ishin rreth 110 milionë euro, teksa norma EBITDA (fitimet para interesave, taksave, zhvlerësimit dhe amortizimit) arrinte deri në 80%. Pas 2008-s, me rritjen e konkurrencës dhe maturimin e tregut të telekomunikacioneve, fitimet ranë gradualisht për të arritur në 30 mln euro në vitin 2013 dhe 17 mln euro në 2014, për të kaluar më pas me humbje të larta në 2017.
Kur OTE, që bleu fillimisht 85% të Telekom Albania (ish-AMC) për 80 milionë euro në vitin 2000, kompania që në atë kohë ishte në pronësi të shtetit shënonte fitime mjaft të larta, pasi vepronte në një treg monopol dhe më pas oligopol (pas hyrjes sëVodafone). Ky investim rezultoi mjaft fitimprurës për Cosmote, që këstin e dytë prej 40 milionë eurosh e pagoi pothuajse me fitimet e një viti, teksa AMC rezultonte një nga kompanitë më fitimprurës të grupit me normë EBITDA tepër të lartë.
19 vjet më vonë, Albania Telecom Invest AD e bleu Telekom Albania për 50 milionë euro, në një investim që mësohet që pritet të shlyhet brenda dy viteve. /Monitor