Telegrami është një aplikacion popullor falas, të cilin ata që e përdorin në përgjithësi e konsiderojnë më të sigurt se aplikacionet e ngjashme, sepse mesazhet që dërgojnë dhe marrin përdoruesit janë të koduara. Edhe pse kompania është zotuar në të kaluarën që të mbajë më shumë se 500 milionë përdoruesit aktivë jashtë mundësive të qeverisë çdo muaj, tani situata duket se ka ndryshuar.
Sipas mediave gjermane, Telegrami u gjunjëzua nën presionin e hetuesve të Zyrës Federale të Policisë Kriminale të Gjermanisë dhe dorëzoi të dhënat e kërkuara në rastet kur përdoruesit dyshoheshin për akte kriminale terrorizmi dhe abuzimi me fëmijët. Kompania thuhet se ka injoruar disa kërkesa në lidhje me lloje të tjera krimesh.
Një burim i cituar nga XDA-developers tha se kjo ishte hera e parë që Telegram i ofronte policisë gjermane informacione për përdoruesit. Më parë, Telegram ishte i vendosur në pikëpamjet e tij për privatësinë dhe injoroi kërkesat e autoriteteve, edhe nëse ato kishin lidhje me krimin.
Ekipi i zhvillimit të Telegram lëvizi duke iu shmangur rregulloreve në vende të ndryshme. Dubai është shtëpia aktuale e kompanisë, por serverët e saj janë të vendosur në të gjithë botën. Për shkak të kësaj, është shumë e vështirë për autoritetet që të marrin të dhëna nga Telegram, por padyshim që nuk është e pamundur.
Tashmë spekulohet sesi Zyra Federale e Policisë Kriminale të Gjermanisë ka arritur të marrë të dhënat e kërkuara, pasi nga Telegrami nuk ka asnjë informacion zyrtar për këtë ngjarje.