Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka nxjerrë në pah mospajtimet ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Kryetari i AAK-së, ish-kryeministri Ramush Haradinaj, kishte kritikuar shefin e qeverisë Avdullah Hoti, për mospërfshirjen e ministrit të Drejtësisë, Selim Selimin, nga radhët e AAK-së, në dialogun me Serbinë.
Lexo Edhe:
Pasojat e pandemisë, shuhen 220,000 vende pune në Britani për tre muaj
Këto mospajtime kanë ngjallur reagime të shumta nëse ky koalicion është stabil dhe do të mund të funksionojë edhe më tutje kjo qeveri.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, thotë se vetizolimi i kryeministrit Avdullah Hoti për shkak të infektimit me koronavirus, ka krijuar zbrazëtirë në funksionimin normal të qeverisë.
Mirëpo sipas tij, vetëm konfirmimi i aktakuzave nga Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetari të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, mund të ndryshojë situatën politike në Kosovë.
Haziri, që është edhe kryetar i Komunës së Gjilanit, thotë për Radion Evropa e Lirë se pa pasur një vendim nga gjykatësi për pretendimet e prokurorit, nuk mund të ketë ndryshime në qeveri. Ai gjithashtu nuk sheh ndonjë zhvillim që mund të përfshijë ndonjë parti të tretë në qeveri.
“Edhe partitë që qeverisin edhe ato që janë në opozitë janë duke u ndjerë mirë me statusin e tyre politik që e kanë, përderisa konfirmimi i aktakuzave të pretenduara të prokurorit nga gjykatësi të Dhomave të Specializuara, mund ta ndryshojë gjendjen dhe ta dridh stabilitetin politik në Kosovë edhe ashtu të brishtë”, thotë Haziri.
Deputetja e AAK-së Albena Reshitaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se pikërisht çështja e dialogut është i vetmi shqetësim i ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj.
“Duke pasur parasysh që lideri Haradinaj në periudhën sa ishte kryeministër ka punuar jashtëzakonisht shumë që ky dialog Kosovë-Serbi të mos prolongohet edhe më tutje si një dialog teknik, rezultati i tij të cilit dihet sa ka qenë i suksesshëm. Por, insistimi i tij ka qenë edhe në atë periudhë, edhe me vendosjen e taksës, që ky dialog të marrë qasje politike dhe të ketë një vendim dhe të përfundohet njëherë e përgjithmonë problemi ndërmjet dy shteteve tona”, thotë Reshitaj.
Por, analisti politik Artan Muhaxhiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se Qeveria Hoti ka pasur probleme prej fillimit.
“Qeveria Hoti prej fillimit ka qenë jostabile, për vet mënyrën se si është formuar dhe problemet brenda koalicionit qeverisës. Ky jostabilitet është duke e përcjellë edhe më tej. Në fakt, ekzistojnë shumë arsye për këtë gjendje, pra prej mënyrës se si është formuar, pastaj pandemia COVID-19 dhe shumë telashe tjera, siç është çështja e dialogut”, thotë Muhaxhiri.
Së fundmi, partia më e madhe opozitare në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje që ishte në pushtet para se LDK-ja dhe AAK-ja të bëheshin bashkë për të formuar qeverinë, filloi një nismë për ngritjen e një mocioni mosbesimi ndaj qeverisë së drejtuar nga kryeministri, Avdullah Hoti.
Lëvizja Vetëvendosje i kishte ftuar edhe partitë tjera parlamentare, atë opozitare Partinë Demokratike e Kosovës (PDK), dhe partitë në pushtet, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nismën Socialdemokrate, si dhe Grupin Parlamentar 6 plus, që t’i bashkoheshin kësaj nisme. Radio Evropa e Lirë ka provuar të hënën të marrë një qëndrim nga kjo parti se çfarë ka ndodhur me këtë nismë, por nga kjo parti nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje.
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, pati deklaruar se kjo iniciativë është joserioze dhe se VV-ja nuk i ka nënshkrimet dhe nuk ka komunikuar paraprakisht me asnjë parti politike.
Ndryshe, më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se më 24 prill ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër presidentit Thaçi, kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë. Gjykatësi i procedurës paraprake ka maksimum gjashtë muaj kohë, nga muaji prill, për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzën.
Thaçi më herët ka deklaruar se do të japë dorëheqje nga posti i presidentit, nëse aktakuza kundër tij konfirmohet. Ne rast dorëheqjeje, ushtrues i detyrës së presidentit të Republikës së Kosovë bëhet kryetari i Kuvendit, në këtë rast Vjosa Osmani për një periudhë deri gjashtë muaj. Ndryshe, Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, më 20 qershor ka shkarkuar Vjosa Osmanin nga postet udhëheqëse në parti.
Pozita e presidentit, megjithatë, është diçka që dy partnerët e koalicionit nuk janë marrë vesh se kush do të zgjidhet president pas skadimit të mandatit të presidentit Thaçi më 2021. Presidenti i Kosovës zgjidhet me votat e deputetëve në Kuvendin e Kosovës./express/