A do të zyrtarizohet Gjuha Shqipe në komunën e Strugës?

E publikuar: 04/01/2018 15:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

A do të zyrtarizohet gjuha shqipe në komunën e Strugës?
Statuti i ri i komunës së Strugës i cili në formën e draft- propozimit ishte vendosur për votim në seancën e fundit të këshillit komunal, mund të jetë mollë sherri mes partnerëve lokal të koalicionit BDI-LSDM. Me propozim-statutin në Strugë gjuha shqipe barazohet me maqedonishten, gjë që para disa viteve e hodhi poshtë gjykata kushtetuese pasi për këtë u ankua dega e OBRM-PDUKM-së në Strugë. Në versionin e ri në nenin 7 thuhet;

Neni 7 i propozim-statutit për Strugën

“Në komunë gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe shkrimi i saj cirilik. Në komunë gjuhë zyrtare përkrah maqedonishtes dhe shkrimit të saj cirilik është edhe gjuha shqipe dhe shkrimi i saj- përkatësisht gjuha dhe shkrimi të cilin e shfrytëzojnë të paktën 20% e banorëve të komunës. Për përdorimin e gjuhëve dhe shkrimeve të cilat i shfrytëzojnë të paktën 20% e banorëve të komunës, vendos këshilli i komunës.”

Nga LSDM-ja nuk konfirmojnë nëse do e mbështesin versionin e ri, ndërsa kryetari i komunës Ramiz Merko kërkon nga kjo çështje të mos bëhet politikë.

”Si grup këshilltarësh do ta presim debatin publik, ne do kemi edhe mendime dhe propozimet tona”. tha këshilltarja e LSDM-së, Nikolina Velkoska

Nga OBRM-PDUKM thonë se nëse votohet propozim-statuti i këtillë, ata sërish do dorëzojnë nismë në Gjykatën Kushtetuese./insajderi.com/