Një incident i rëndë me armë zjarri ka ndodhur pak më parë në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë, ku ka mbetur i plagosur një inspektor i Inspektoratit Policor të Kosovës.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur pas një fjalosjeje mes inspektorit të IPK-së dhe një personi tjetër, lidhur me vendosjen e kamerave në një lokal afarist. Sipas informacioneve nga vendi i ngjarjes, situata ka eskaluar në mënyrë të shpejtë.
Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se në momentin kur inspektori ka tentuar të çojë dorën drejt çantes, ku dyshohet se ndodhej arma e tij zyrtare, është përballur me të shtëna me armë zjarri nga i dyshuari.
Si pasojë, inspektori ka pësuar lëndime dhe është dërguar për trajtim mjekësor.
Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po merren me rastin, ndërsa deri në këtë fazë nuk raportohet për arrestime. Rrethanat e plota të incidentit mbeten ende të paqarta dhe pritet të zbardhen në vijim.

















