Në repartin e Djegie-Plastikës së QSUT-së në Tiranë mbërritën 11 të plagosura, 8 prej të cilave janë transportuar me helikopterë, pasi kanë qenë në gjendje më të rëndë shëndetësore, ndërsa 3 të tjera kanë mbërritur me autoambulanca.
Sipas shefit të Shërbimit të Djegie-Plastikës, gratë e plagosura janë të moshës 50 deri në 70 vjeç, ndërsa vetëm dy prej tyre respektivisht 23 dhe 24 vjeç.
“Po ekzaminohen dhe po merren të gjitha analizat laboratorike të duhura. Nga ana klinike 8 i kemi në gjendje të rëndë, dy në gjendje mesatare, ndërsa një paciente veçse ka thithur tym e pritet të transferohet në Shërbimin e Toksikologjisë”, tha Prof. Dr. Gjergji Belba, shef i Shërbimit të Djegie-Plastikës.
Të afërm të grave të besimit ortodoks, të cilat ishin nisur për të vizituar vende të shenjta, kanë mbërritur menjëherë për t’u interesuar.
“Nga Vlora ishin nisur, por nuk di më tepër. Mua tani më lajmëruan. Jam këtu thjesht për t’u interesuar, por mjeku më tha që është rëndë. Është e moshës 55-vjeçare, e parafundit e ardhur”, tha njëri prej tyre.
Përveç terapive intensive që po u nënshtrohen në Reanimacion, ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj tha se po krijohen lidhje edhe me klinika të tjera, nëse është nevoja për ndonjë transferim të ndonjë pacienteje.
“Edhe pse shërbimi sot po e administron situatën, kemi vendosur kontaktet me një qendër të specializuar djegiesh në Athinë, që në rast se në ditët në vijim do të kemi nevojë për mbështetje mjekësore, të jemi të përgatitur dhe ta ofrojmë këtë”, tha ministri Beqaj.
Pacientet e plagosura janë viztuar nga kryeministri Rama, deputetë, si dhe kryepeshkopi Janullatos. Ndërkohë, kreu i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli deklaroi se mjeti me të cilin po udhëtonin besimtarët, sipas dokumentacionit të bashkisë ishte brenda ligjit dhe afateve ligjore të funksionimit të tij. Deklaratat e ministrit Beqaj dhe kryebashkiakut Leli u bënë pas vizitës te 11 personat e plagosur që ndodhen në QSUT.