Të prodhosh vaj ulliri në shtëpi si të jesh duke përgatitur një kafè nuk është një utopi. Një i ri nga Kalabria e Italisë ka ideuar robotin e parë të aftë të transformojë ullinjtë në vaj ekstra të virgjër. Ideja titullohet “Revoilution” dhe, siç mund të kuptohet nga emri, përbën një revolucion të vërtetë.
Objektivat e saj janë krijimi i një produkt të ri shtëpiak, të ofrojë një risi të re në tregun e industrisë së ushqimit, të reduktojë mbeturinat dhe të shpëtojë biodiversitetin.
Pajisja e vogël elektroshtëpiake është tepër e lehtë për t’u përdorur. Mjafton të fusësh tulin e ullinjve apo kokrrat e plota, të shtypësh një buton dhe në më pak se 40 minuta të mund të sigurosh 250 mililitra vaj ekstra të virgjër.
“Në këtë mënyrë lëmë të paprekur produktin dhe atë që del prej atij”, ka shpjeguar shefi ekzekutiv, Antonio Pagliaro, i intervistuar nga “Huffington Post”. 30-vjeçari i specializuar në Financë, Menaxhim Projekti dhe Marketing për teknologjinë ushqimore, Pagliaro ka fituar edhe grante, çmime të dhëna nga Europa për idenë e tij, që e çon përpara falë ekipit të tij të ekspertëve, nga mekanikët elektronikë e deri te dizenjuesit.
Për ata që duan të prodhojnë “vaj ekspres” (shënim, përshtatje e kafes ekspres) ka dy mundësi, ose të zgjedhin “Revoilution”, ose “Revoilution Pro”. Pajisja e parë funksionon me tulin të siguruar nga ullinj të përzgjedhur e të ngrirë, që pritet në kubikë të vegjël e më pas futen në makineri për të siguruar vajin gjithnjë të freskët. Ndërsa e dyta është menduar për ata që kanë një ullishtë. Bëhet fjalë për një fabrikë të vërtetë në miniaturë që shtyp shumë ullinj njëkohësisht.
Tani për tani ato shiten vetëm “online”, kanë një kosto prej rreth 500 eurosh për pajisjet e para dhe 2000 euro për të dytat, por siç siguron vet Pagliaro “vaji ekstra i virgjër që sigurohet prej tyre ka një kosto pak më të ulët sesa ta blesh vajin në supermarket”.