Rrjeti i Grave të Kosovës organizon të premten protestë paqësore para Pallatit të Drejtësisë, për të kërkuar dënim maksimal për Nebih Berishën, vrasësin e viktimës së dhunës në familje Zejnepe Berisha.
“Pasi që institucionet e drejtësisë nuk po ndërmerrnin masat e duhura, pas reagimeve të shumta, RrGK angazhoi avokaten Fehmije Gashi Bytyqi që të përfaqësonte familjen e Zejnepes.Si rezultat, pas ankesave të bëra nga përfaqësuesja e familjes së Zejnepes, Gjykata e Apelit në Prishtinë ka vendosur që të mbajë një seancë të premten në ora 10:00”.
“Pas vrasjes së Zejnepës, me urdhër të Gjykatës Themelore të Prizrenit me 12 prill vrasësi i viktimës është dënuar me vetëm 12 vjet burg. Kodi Penal i Republikës së Kosovës, në nenin 179 mbi Vrasjen e Rëndë thotë se ‘Me dënim me jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim ose me burgim të përjetshëm dënohet personi i cili: … 1.3. privon nga jeta anëtarin e familjes’. Duke marrë parasysh rrethanat se si ka ndodhur kjo vrasje, peshën e veprës dhe dhunën sistematike që viktima ka përjetuar, RrGK vazhdon ta konsideroj këtë dënim si jo proporcional me veprën e kryer”, thuhet në njoftim të RrGK-së.
















