Blerina Rogova Gaxha
Frika nga kosovarët i ngjan një sëmundjeje mizore nga e cila qytetërimi evropian është vaksinuar për një kohë të gjatë. Këto viza një ditë s’do të na duhen ma, dhe ne megjithatë do të lëvizim të lirë. Po çfarë t’i bësh se njeriu lind njëherë e në një vend, e kujtimet e këqija të jetës së mjerë bëhen pjesë e tij përherë.
Ditë e hënë. 09.30. Koha kur nis paraqitja e aplikimit për vizë në njërën nga ambasadat e shteteve evropiane në Kosovë. Në 09.20 jam aty. Por rendi i njerëzve që presin është i gjatë. Të gjithë ata kishin zgjedhur të vinin një orë më herët për të zënë vend në rend. Në 09.35 para turmës shfaqet gruaja flokëverdhë. “Ata për fletëparaqitje këndej, ata për aplikim në anën tjetër”. Shpërndan numrat. (Banuesit e socializmit të dikurshëm e mbajnë mend mirë ndarjen e numrave. Sidoqoftë, është viti 2015).
Rendi im i takonte atyre që donin të merrnin fillimisht fletëpagesën për vizë, obligim i kërkuar të kryhet vetëm në bankën që vjen pikërisht nga shteti i zonës Schengen ku edhe kërkohej viza. Rendi i turmës sime ecte shpejt. Për gati 30 minuta të gjithë i morën fletët e pagesës. U habita. Çuditërisht kaq shpejt u krye kjo punë! Ndjeva lehtësim nga nervozat e zakonshme të aplikimit për vizë. Besova se edhe të nesërmen, në ditën e aplikimit, çdo gjë do të shkonte po kaq shpejt e me lehtësi.
E martë. 09.20.
Turma në ditën e aplikimit tim qe dyfishuar. Sërish shumica ishin renditur aty një orë më herët. Gruaja flokëverdhë shfaqet te dera në 09.30. Fjalia e njëjtë “Njëri rend këndej, tjetri andej”. Isha numri 33. 32 letra të dhënash personale do të kontrolloheshin para se t’u vinte rendi letrave të mia. Të moshuarve u lëshohet rendi, edhe shtatëzënave. Numri rritet.
Turma pret në këmbë para dyerve të ambasadës. Në 60 minutat e parë secili duket i qetë, por minutat shkojnë, këmbët nisin e rëndohen dhe ajo nis të shfryejë ngapak, herë të flasë me mllef, herë të irritohet e herë të diskutojë për çështjet e mëdha shtetërore. A e dëgjove, tha burri i moshuar, Isës e Hashimit i kanë thanë se kur ta bajnë gjykatën speciale, kanë me i liberalizu vizat. Jo bre burrë, se s’a qashtut, thotë pritësi përkrahë tij. Po bre, ia kthen tjetri në rend. Hajt se e sheh! Plaku e bie kërrutës përtokë. Ani de, s’po lypim viza niheres, po presim sa të themelohet gjykata. Edhe aty diskutohet për politikë si në gjithë skutat e jetës kosovare.
Roja bërtet “Lirojeni derën!” Parashutisët nisin të vijnë, takime me ambasadorin, me këtë e me atë, e arsye të ndryshme të personave që vijnë e hyjnë pa rend. Kalojnë dy orë pritje. Roja sërish bërtet “Të gjithë keni me hy!” Prishësit e rendit tashmë nisin ta kërcënojnë trumën që pret te dera si një turmë qensh. “Nëse nuk e respektoni rendin, shkoni në shtëpi!” Dielli përcëllon.
Gruaja flokëverdhë shfaqet sërish, por me tonin e ngritur fort: “Veç dy duar i kam, s’kam çka ju bëj!” i përgjigjet ajo aplikuesve të lodhur që kërkojnë përshpejtim të procesit. Ora 12.00. pas dy orë e gjysmë pritjeje në diell, momenti i përballjes me gruan flokëverdhë më vjen mua. “Në regull, kjo, kjo, kjo, kjo… kjo s’bën”, disa nga letrat m’i gjuan. Ajo kthen letrën garantuese dërguar nga Shoqata e Shkrimtarëve të shtetit ftues. Pse, i them, ku është problemi, ftesa zyrtare është edhe letër garancioni i verifikuar dhe noterizuar nga shteti për të cilin ti punon. “Po kështu s’bën”, përgjigjet shkurt. “Ne këtu s’e pranojmë! Për çfarë udhëton ti?” Për kulturë, i them, festival letërsie. “Por çka ke me ba atje në festival?” zgjeron pyetjen zonja insistuese flokëverdhë. Nuk besoj të jetë e rëndësishme për ty se çfarë mund të bëj në një festival letërsie, i them, por meqë qenke kaq kureshtare, do të lexoj. “Çka me lexu?” pyet tek e dridh kokën në mënyrë dyshuese. Çka të dua, ia kthej. “A hajgare po bon ti a?! Atëherë, në daq me marrë pjesë në festival, shko dhe sille letrën që duhet. S’ka këtu dallime as për të ftuar as për të paftuar.”
I kërkoj të koncentrohet në punë e ta rishikojë edhe njëherë ftesën zyrtare plus letrën garantuese dërguar nga institucionet zyrtare të njohura mirë në vendin që ajo përfaqëson, ku saktësohet me të zeza arsyeja dhe qëllimi i ftesës. “Ti ngom çka po të thom unë, të marten tjetër me e sjellë letrën, kaq.” këmbëngul e nervozuar leshverdha. Në ikje, e pyes sa zgjat posedimi me vizë në filan ambasadën. “Dy deri në katër javë”, ma kthen. Kërkoj të di mundësitë që kjo të përshpejtohet, meqë kisha llogaritur më së shumti deri në dhjetë ditë, dhe më duhej pasaporta për tjetër udhëtim. “Atëherë pse po aplikon, hiç mos apliko!”
Me kaq, edhe durimi e nervoza marrin fund. Dhe njeriu ulërinë në mërmërimë: Shtet i poshtër, ah shtet i poshtër!
Thonë se liria është më e vlefshmja. Por cila është liria e njeriut pas hekurave? Cila është liria e kosovarit që për 16 vjet është dashur të presë si qen para dyerve të ambasadave vetëm për të marrë lejën e daljes jashtë kufijve të tokës së vet. Njeriu pas hekurave? Njeriu pas rrenave? Njeriu para paragjykimeve apo njeriu i hapur para gjithçkaje? Një homo shqiptar i mbyllur dhe i shtrydhur në geto, që as të ulërijë n’guxon. I kapur për fyti në gjithë jetën e tij. Njeriu pa frymë ndoshta, apo njeriu që të tjerët pretendojnë ta mësojnë se si duhet të marrë frymë në mënyrë që të dalë jashtë kufijve të tij. Njeriu që është i detyruar të mësojë nga ai që ta jep një letër rrugës për në Evropë dhe me kaq pretendon se të nderon, derisa të poshtëron e të fyen si qen rrugësh.
Po para këtyrë njerëzve të panjohshëm duhet të përbish e të përtypësh fytyrën e nderin tënd të një qytetari të zakonshëm e t’u tregosh se në ç‘dreq vendi ke lindur, në ç‘dreq vendi banon, me kë banon, me kë je e martuar, sa fëmijë i ke e nuk i ke, sa para i ke në bankë dhe sa vlen kontrata yte e punës. A rron si qen apo si njeri! Para këtyre njerëzve anonim duhet të japësh shenjat e gishtërinjëve, të tregosh se sa para ke mbledhur në fondin tënd pensional, si harxhon e ku harxhon, sa herë ke mundur të ikësh jashtë e të “marrësh frymë”, dhe sa i kalbur je si një individ i dyshimtë i një shteti të dyshimtë. Ku do të shkosh, ku do të rrish, sa do të rrish, në cilën ditë nisesh, në cilën ditë kthehesh, kush do të paguajë, sa do të paguajë, me çfarë do të udhëtosh, vetëm nëse do të hash, çfarë do të hash e si do të vishesh, nuk pyetesh. Edhe pas gjithë këtij konfesioni mbetesh një qytetar i dyshimtë i një shteti të dyshimtë.
Një qytetar i shtetit të poshtër për të cilin liria më e vlefshme nuk është thjesht të jeshë ai që je. Një qytetar i shtetit i cili për një dekadë e gjysmë e ka shpërfytyruar njeriun e vet, e ka vrarë, dhe e ka izoluar. Revolucionet e mëdha thonë se vinë nga revolucionet individuale. Po çfarë të bësh se njeriu lind vetëm një herë e në një vend, dhe ndodh që qëllon në kohë të poshtra, prandaj duhet të kërkosh sikur të kërkoje lëmoshë para dyerve të shteteve që shtetin tënd ‘s’ta pjerdhin’.
A janë tmerri personat shqiptarë që përtej pragut të dyerve të ambasadave marrin rolin e njerëzve arrogantë e të pafytyrë, apo janë shqiptarët këndej dyerve të cilëve u kruhet bytha e kërkojnë të dalin pak për ajër të pastër përtej kufijve të atmosferës kosovare, apo fatkeqësia është qeveria dhe H.TH-ja për të cilin ne tashmë e sa kohë s’do ta lodhnim kryet për viza. Apo janë të gjitha bashkë!
Vizën e merr sidoqoftë, por procedura është tmerrësisht irrituese, siç është dhe përpikshmëria e tyre. Sa të përpiktë janë! Bëhesh insistues e kërkon vizë njëvjeçare, sado që paraprakisht mund ta dish përgjigjen, dhe dikush që është bujar të jep kohë të ajrosesh në Evropë vetëm pak ditë ose helbete një muaj a dy më shumë, e asnjë orë më tepër. Po hajde e planifiko atëherë! Edhe udhëtimet e gjithë planet tua me to, janë në duart e të tjerëve!
A e kemi bërë ne vendin kësisoj që t’ia kenë frikën të gjithë, dhe që të gjithë pakompromis të shihen si ikanak alzikërkues të mjerë, apo janë të gjithë kryeministrat me rend, ministrat e punëve të jashtme e punëve të brendshme, të diasporës e të tyrlifar punëve të leshit, që dalin e marrin frymë jashtë vendit pa asnjë therrë në këmbë, dhe harrojnë ndërkohë çfarë i kanë premtuar popullit, çfarë i kanë bërë atij dhe si ua kanë kërkuar edhe votën!
Frika nga kosovarët i ngjan një sëmundjeje mizore nga e cila qytetërimi evropian është vaksinuar për një kohë të gjatë. Këto ‘mut’ vizash një ditë s’do të na duhen ma, dhe ne si të tjerë evropian, edhe pse duke qenë në Evropë, megjithatë do të lëvizim të lirë. Po çfarë t’i bësh se njeriu lind njëherë e në një vend, e kujtimet e këqija të jetës së mjerë bëhen pjesë e tij përherë.
/gazetajnk/