Të paktën nëntë persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë lënduar në Vancouver, pasi një automjet është përplasur me turmën gjatë një festivali rrugor filipinas në këtë qytet të Kanadasë Perëndimore, ka njoftuar policia.
Një burrë 30-vjeçar është arrestuar në vendngjarje dhe hetimet janë në vazhdim, shkruan bbc.
“Në këtë moment, jemi të bindur se ky incident nuk ka qenë akt terrorist”, thuhet në deklaratën e policisë vendase në platformën X.
Në një konferencë shtypi të mbajtur pas mesnate, shefi i policisë lokale deklaroi se i dyshuari është “i njohur” për ta, por nuk dha më shumë detaje.
“Viktimat po transportohen në disa spitale, nuk do të ishte e drejtë ndaj familjeve të flas për numrin e të vdekurve apo të plagosurve”, tha ai.
Kryeministri kanadez, Mark Carney deklaroi “jam i shkatërruar nga lajmi për ngjarjet e tmerrshme në festivalin Lapu-Lapu në Vancouver më herët këtë mbrëmje”.
Ndryshe, tragjedia ndodhi pak pas orës 8:00 të mbrëmjes, sipas kohës lokale, pranë East 41st Avenue dhe Fraser Street, ku po mbahej një festival i Ditës Lapu-Lapu në nder të heroit kombëtar filipinas.


















