Të paktën 19 persona kanë vdekur dhe 164 janë plagosur pasi një avion stërvitor i forcave ajrore të Bangladeshit u rrëzua në një kampus shkolle në kryeqytetin Dhaka, raporton BBC.
Pamjet nga shkolla dhe kolegji “Milestone” në lagjen veriore të Uttara-s tregojnë zjarr të madh dhe tym të dendur, pasi aeroplani goditi një ndërtesë dykatëshe,transmeton KosovaPress.
Forcat e armatosura thanë në një deklaratë në Facebook se avioni F-7 pësoi një defekt teknik pas ngritjes në një fluturim stërvitor pak pas orës 13:00 me orën lokale. Piloti ishte ndër të vrarët.
Më shumë se 50 persona, përfshirë fëmijë dhe të rritur, janë dërguar në spital me djegie, tha një mjek nga Instituti Kombëtar i Djegieve dhe Kirurgjisë Plastike.
Mosha e nxënësve që ndjekin mësimet në këtë shkollë varion nga katër deri në tetëmbëdhjetë vjeç.
Një mësues në kolegj, Rezaul Islam, i tha BBC Bangla se e kishte parë avionin “drejtpërdrejt” teksa goditi ndërtesën.
Piloti Taukir Islam kishte tentuar të drejtonte avionin drejt një zone më pak të populluar pasi ndodhi defekti teknik, thuhet në deklaratën e forcave të armatosura. Ai sapo ishte ngritur nga një bazë ajrore në kryeqytet.
Të plagosurit janë transferuar në spitale përreth, ndërsa ekipet e emergjencës po vazhdojnë operacionet e kërkim-shpëtimit në vendin e ngjarjes. Po ashtu është formuar një komision hetimor për të shqyrtuar incidentin, shtohet në deklaratë.
Bangladeshi ka shpallur një ditë zie të martën, kur flamuri kombëtar do të ulet në gjysmë shtize në të gjithë vendin./KP

















