Më 9 prill 1961, në spitalin Foch, Sorensen, Paris, Francë, vdiq mbreti Zog, 65 vjeç – pas shumë vitesh vuajtje nga sëmundja, pa e parë vendin e tij që prej ikjes më 8 prill 1939.
Shtypi në Shqipëri heshti plotësisht.
Zogu ishte shtruar në spital më 4 prill, thuajse pa ndjenja nga dhimbjet e forta në stomak.
Ai ishte dobësuar jashtëzakonisht. Kur u përmend, pa pranë mbretëreshën Geraldinë dhe princ Lekën.
Zogu i kërkoi Geradinës t’i sillte një revole sepse nëse mjekët do t’i thoshin se kishte kancer, ai nuk donte të jetonte më dhe do të vriste veten.
E shoqja e kundërshtoi, më kot; pastaj solli armën (pa fishekë) dhe ia la pranë, por mbreti nuk kishte fuqi as për të zgjatur dorën.
Zogu kishte qenë monark absolut, i fortë, efikas dhe, i pamëshirshëm në rast nevoje.
“Është kollaj të jesh mbret i 400 milionë skllevërve e robërve, por është tepër e vështirë të jesh mbret i një milion mbretërve, siç jam unë”, ka thënë Zogu në një rast.
Historiani amerikan Raymond Hutchison do ta quante Zogun “personazhin shqiptar më të fuqishëm të shekullit XX ose gjatë shumë shekujve që nga vdekja e Skënderbeut të madh më 17 janar 1468”.
Leksografi i njohur Stuart Edward Mann, hartues i fjalorit historik Albanian-English, shkruante në paraqitjen e gramatikës së tij shqipe (1932), se “ardhja e Zogut në krye të vendit si president dhe pastaj si mbret, ishte një fillim i mbarë”.
Mbreti krijoi administratën dhe makinerinë e një shteti modern shqiptar; gjatë presidencës së tij, kodi i vjetruar penal Osman u zëvendësua me Kodin e Napoelonit; vendi përparoi në çdo fushë të rëndësishme; ai zhduku banditërinë e trashëguar; përkujdesje i kushtoi arsimit publik; qindra të rinj u dërguan me bursa jashtë shtetit në universitete evropiane (ironikisht mes tyre ishte edhe Enver Hoxha), dhe kur diplomoheshin, ata ktheheshin në atdhe ku Zogu i vendoste në poste administrative.
Gjithashtu, gjatë mbretërimit të tij, mbreti Zog u rezistoi përpjekjeve nga Italia për vendosjen e fashizmit në Shqipëri, derisa Musolini u detyrua ta pushtonte, si dhe mbajti marrëdhënie të mira me vendet fqinje.
Me rastin e 57-vjetorit të vdekjes sjellim 50 fakte nga jeta e një nga njerëzve më të rëndësishëm të shekullit XX. Ai kishte pasion tenisin, pinte 250 cigare në ditë, flinte shumë pak, ishte paranojak ndaj atentateve. Dashuritë e tij dhe detaji i veçantë me këmishën e virgjërisë të mbretëreshës Geraldina.
Njihuni me jetën e jashtëzakonshme të mbretit të shqiptarëve:
1- Ahmet Zogu jetoi 65 vite, 5 muaj e 29 ditë. Lindi në 8 tetor 1895 në fshatin Burgajet të Matit dhe vdiq më 9 prill 1961 në spitalin Fosch, pranë Parisit.
2- Ahmet Zogu ka qenë mbret i Shqipërisë për 10 vjet 7 muaj e 6 ditë. Ai u kurorëzua Mbreti i Shqipërisë më 1 shtator të vitit 1928. Monarkia i tij mori fund kur Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste më 7 prill 1939.
3- Ahmet Zogu qëndroi për 11 vjet në fronin e mbretit të Shqipërisë, për 3 vjet në detyrën e presidentit, për 2 vjet në detyrën e kryeministrit dhe për 10 muaj në detyrën e ministrit të Brendshëm.
4- Ahmet Zogu ishte djali i Xhemal Zogut, kryetar i një fisi të Matit dhe i Sadije Toptanit, një nga pinjollet e familjes së njohur Toptane nga Tirana. Xhemal Zogu vdiq në moshën 41-vjeçare në rrethana të panjohura. Ndërsa Sadije Toptani vdiq më 24 nëntor 1934.
5- Ahmet Zogu ishte një nga dy djemtë e familjes dhe kishte edhe pesë motra, Adilen, Nafien, Semien, Mexhiden dhe Ruhijen. Ndërsa vëllai i tij, Xhelal, ishte nga martesa e parë e të atit. Princi Xhelal vdiq në Stamboll në vitin 1944 dhe la pesë fëmijë.
6- Mbiemri i vërtetë i familjes mbretërore është Zogolli. Nuk ka një datë të saktë se kur është bërë ndërrimi i mbiemrit, por mendohet se mund të jetë viti 1927. Mbiemri Zogu i përshtatej më shumë një aristokrati sesa mbiemri i mëparshëm Zogolli.
7- Ahmet Zogu mësimet e para i mori në Liceun Perandorak Francez të Gallatasarajit në Turqi. Më pas vazhdoi studimet në Akademinë Ushtarake Perandorake në Vjenë. Studimet i ndërpret në vitin 1912 dhe kthehet në Shqipëri.
8- Ahmet Zogu ka qenë pjesëmarrës në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, si delegat i Matit. Ai në atë kohë ai ishte 17 vjeç dhe cilësohet si aksioni i parë politik i tij
9- Ahmet Zogu ishte 25 vjeç kur mori detyrën e ministrit të Brendshëm; 30 vjeç, kur u bë President i Republikës; dhe 33 vjeç kur vuri në kohë skeptrin e mbretit të shqiptarëve. Në 65 vite të jetës së tij Zogu i provoi të gjitha, që nga dëbimi prej Shqipërisë, rikthimin për të arritur majat e pushtetit dhe ekzili për të mos u kthyer më kurrë.
10- Gjatë mbretërimit të Ahmet Zogut në 11 vite u krijuan tetë kabinete qeveritare. Më kryesorët janë ata me kryeministra Kostaq Kota, Pandeli Evengjeli, Mehdi Frashëri.
Frika nga atentatet dhe pasionet për jetën
11- Pallati i Zogut ruhej nga 500 këmbësorë dhe tridhjetë kalorësiakë. “S’kam asgjë kundër vdekjes në betejë”, thoshte ai. “Por nuk kam në plan të lejoj të më qëllojnë në mes të rrugës si qen”. Betejat e tij me bejlerët rivalë, kosovarët, radikalët që mbështesnin Nolin dhe rebelët dukagjinas e kishin shtënë në gjak me një sërë familjesh. Të fyerit i dërgonin herë pas herë një zarf me plumb brenda, që ishte premtim se plumbin tjetër do e merrte në zverk. Një vizitor britanik guxoi njëherë të sugjeronte se kreu i shtetit duhej të përjashtohej nga ligjet e gjakmarrjes. Një këshilltar i Zogut iu përgjigj: “Mbreti jonë shkëlqesi është një prej nesh, jo si mbreti juaj”.
12- “Njerëzit e Tiranës mund ta shihnin mbretin e tyre duke bërë përshëndetjen në paradat ushtarake në ditët e festa kombëtare. Kur Zogu mori pjesë në një pritje të inaugurimit të ndërtesës së re të Legatës së SHBA-së në vitin 1930, diplomatët e panë të çuditur teksa ai rrëshqiti nga makina, rendi në ndërtesë, dëgjoi fjalimin dhe u zhduk po aq shpejt sërish. Hapja e parlamentit ishte njësoj e nxituar në ato raste të veçanta kur ai mbante fjalimin e mbretit, personalisht. “Të huaj këtu shijojnë herë pas here çaste talljeje me të”, ankohej Rose Wilder Lane, shkrimtarja amerikane që jetonte në Tiranë dhe që u bë mikja dhe ndoshta edhe e dashura e tij”, shkruante studiuesi Jason Tomes në librin e tij “King Zog: self-made monarch of Albania”.
13- Herë pas here, kishte ndonjë shfaqje të papritur të mbretit, kur Zogu bënte shëtitje të shkurtra përkrah nënës së tij, përmes kopshtit trekëndësh ndërmjet rezidencave të tyre. Ky park në miniaturë ishte si kopsht bashkiak, me trëndafila dhe stola, ku shoqëria alla-franga vinte të dielash pasdite. Me Sadijen në krahun e tij, ai ishte i sigurt nga vrasësit që respektonin Kanunin. Raste kur dilte nga qyteti ishin të rralla, zakonisht për të shkuar në Mat me motrat e tij, për të ngrënë drekë në shtëpizën e tij në Qafështamë. Ekskursionet kryheshin në rrugë të ndryshme çdo herë, shpërndaheshin informacione false, bëheshin kontrolle për bomba dhe ndryshohej itinerari në momentin e fundit.
14- Frika e mbretit për jetën e tij mund edhe të ketë qenë e ekzagjeruar. Liderë të tjerë kombëtarë mund t’ia besonin mbrojtjen e tyre policisë; Zogu e shihte si të nevojshme që të kujdesej vetë për çdo detaj të mbrojtjes së tij.
15- Të dërguarit diplomatikë të Italisë dhe Jugosllavisë gjithashtu përpiqeshin ta trembnin duke u kaluar shërbimeve sekrete informacione për komplote në radhët e emigrante shqiptarë.
16- Kompleksi kishte një fushë tenisi dhe palestër, edhe pse mbreti s’i përdorte shpesh ato. Shqiptarët e modës së vjetër nuk e kuptonin pse perëndimorët bënin palestër vazhdimisht. Sporti ishte tipar i shoqërisë evropiane për të mbajtur trupin në formë, gjithsesi Zogu nganjëherë e merrte raketën e tenisit. Ata që lavdëronin lojën e tij nuk njihnin ndonjë standard krahasimi.
17- Rutina e zakonshme e këtij gjeniu duhanpirës ishte gjithçka përveç se e shëndetshme. “Ai ishte një oxhak njerëzor”, kujtonte një reporter i huaj. “S’kam parë njeri të pijë aq shumë duhan dhe pa ndërprerje”. Sipas këtij burimi, Zogu pretendonte se në 1920-ën e kishte zakon të pinte 250 cigare në ditë. Mbase duhanpirës të tjerë po aq të vullnetshëm mund të gjykojnë më mirë nëse një nivel i tillë konsumi duhani është fizikisht i mundur, por të gjithë bien dakord se ai pinte shumë duhan, edhe sipas standardeve shqiptare’, shkruante historiani Jason Tomes.
18- Zogu thoshte se ngrihej në gjashtë të mëngjesit e shtrihej në mesnatë. Ai normalisht ishte në studion e tij të mbingrohur në orën tetë të mëngjesit dhe plani i tij i punës zgjatej në 14 orë në ditë. Një poet zogist e perifrazoi në vargje, “lumi s’fle, deti s’fle, po ashtu nuk fle as mbreti”.
19- Ushqimi vinte nga pallati i nënës mbretëreshë në një kuti të mbyllur sepse ai kishte besim vetëm tek Sadija. Zakonisht ushqimi përbëhej nga specat, oriz me mish, komposto frutash, djathë i bardhë, bukë e zezë dhe byrek me djathë e arra. Ushqimi i tij i preferuar ishin patëllxhanët e mbushur.
20- Mbreti lexonte shumë ndaj s’kishte një kufi të qartë ndërmjet punës dhe zbavitjes. Pako të tëra me libra dhe revista vinin rregullisht nga Vjena. Ai ruante interesin e tij për historinë ushtarake, veçanërisht për periudhën napoleonike dhe një bust i vogël i Napoleonit qëndronte në tavolinën e tij të punës, përkrah një pllake qeramike të Skënderbeut.
21- Shpeshherë pasi mbaronte ai luante e letra për para me disa prej adjutantëve dhe ministrave të tij. Këto rast shërbenin dhe për të shkëmbyer informacione informale politike. Zogu i mësonte thashethemet më të fundit nga të ftuarit e tij dhe po nëpërmjet tyre përhapte thashethemet për llogari të tij.
22- Zogu e linte Tiranën zakonisht vetëm një herë në vit. Në pik të verës, njerëzit preferonin t’i iknin klimës mbytëse të kryeqytetit. Familja mbretërore udhëtonte drejt Durrësit çdo qershor dhe kalonte pranë detit tre ose katër muaj. Zogu kishte shpresuar ta kthente Durrësin në portën e Shqipërisë. Ishte një prej porteve më të mira në Adriatik, sipas qeverisë shqiptare. Ishte pikërisht në Durrës që në pritje të një ardhmeje më me influencë, Zogu kishte zgjedhur të ndërtonte pallatin e tij veror.
23- Buzë detit, mbreti e ndërronte kostumin e tij të zakonshëm gri me pantallonat bardha prej stofi dhe një xhaketë sportive blu. Pjesën më të madhe të kohës qëndronte në studio, një zyrë e vogël e pajisur me disa karrige të lehta, një tryezë kafeje dhe një tavolinë. Lluca ishte një problem më vete, ndaj vizitoreve femra u kërkohej të mos vishnin taka të larta. Meqë këtu vizitohej nga më pak njerëz se në kryeqytet, Zogu e përdorte shpesh telefonin. Shqipëria nuk ishte lidhur me rrjetin ndërkombëtar, por linjat ndërmjet pallateve, ministrive dhe postave të xhandarmërisë funksionin.
24- Shpeshherë organizoheshin shfaqje filmash në shtëpinë e kinemasë. Motrat e tij dhe fëmijët pëlqenin të shihnin Charlie Chaplin dhe Shirley Temple. Të gjithë binin herët për të fjetur. Ndryshe nga ç’besohet, ballot luksoze, shpenzimet e tepruara dhe format e tjera të ekstravagancës nuk ishin tipar i mbretërisë së Zogut. Kushtetuta e vitit 1928 i kishte caktuar mbretit 500 mijë franga ari në vit, si dhe shpenzimet për stafin dhe udhëtimet. Nëna mbretëreshë dhe princeshat merrnin 120 mijë të tjera. Edhe pse ishte shumë më pak se shuma që i paguhej mbretërve të Rumanisë dhe Jugosllavisë, të ardhurat vjetore zor se i kalonin 1 milionë paund dhe ku thesari ishte gjithnjë në deficit.
25- Siç mund të vërenin diplomatët e huaj, shpenzimet e tij më ekstravagante ishin ato që kishin si synim të linin bejlerët në hije. Ai e kishte shumë me qejf që t’i vinte në siklet, kur bëhej fjalë për shkëmbim dhuratash. Prestigji ishte gjithashtu një motiv tjetër për të blerë disa limuzina (më së shumti Mercedez-Benz). Ai nuk i ngiste vetë ato, por rrugët malore kërkonin motorë të fuqishëm. Për t’u bërë përshtypje krerëve të fiseve, mbreti ekspozonte koleksionet e tij të qilimave orientalë dhe armët antike.
26- Shpenzimet më të mëdha dëshmojnë se mbreti paguante trefish më shumë për çdo gjë që familja mbretërore blinte në treg. Mbase mbreti nuk e kuptonte se faturat e ushqimeve të tij fryheshin më shumë se ç’duhej; por në fakt ka më shumë mundësi që ai ta dinte shumë mirë, por dashamirësia e tregtarëve tiranas mendonte ai mund të meritonte një shpërblim të tillë.
Politika mbretërore
27- Kundërshtari politik më i egër i Ahmet Zogut mund të cilësohet Fan Noli. Edhe pse Zogu e rrëzoi nga pushteti në vitin 1924, Noli edhe në emigrim vazhdoi të ishte armiku i tij. Noli e quante oksidentalizmin e Zogut një farsë. Në një nga debatet në parlamentin e viteve 1920-1924, Fan Noli e quan kryeministrin Zog “shakaxhi të përparimit”.
28- Ahmet Zogu është dhe i pari kryetar shteti që ndërmori reforma edhe për emancipimin e gruas. Në vitin 1937 Parlamenti miratoi ligjin për ndalimin e perçes tek gratë myslimane. Ligji i Zogut lejonte ndalimin e perçes edhe me forcë, pasi ai ishte antiligjor dhe antishoqëror.
29- Akuza më e rëndë që i është bërë Ahmet Zogu është dhënia e Shën Naumit Serbisë, në vitin 1925. Sipas historianëve, ky vendim u bë në shenjë falënderimi për ndihmën që i dhanë serbët për ta sjellë në pushtet atë një vit më parë, pas rrëzimit të Fan Nolit.
30- Ahmet Zogu është i pari zyrtar i qeverisë shqiptare që nënshkroi një marrëveshje me qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Bëhet fjalë për marrëveshjen e ekstradimit të personave të kërkuar nga drejtësia. Marrëveshja e vitit 1933, e cila është në fuqi edhe sot.
31- Mbreti Ahmet Zogu ishte dhe ai që vendosi zhvillimin e Tiranës drejt Jug-Perëndimit në zonën që sot njihet si “Tirana e Re”. Zonë që më pas u zgjodh nga bllokmenët për të banuar. Edhe sot kjo është zona më e urbanizuar e vendit dhe më e rregullta për çështjet e pronësisë.
32- Ahmet Zogu u cilësua fashist dhe nazist nga komunistët, megjithatë është i vetmi monark, qeveria e të cilit hapi dyert për hebrenjtë. Në vitin 1935 delegati i Zogut në Lidhjen e Kombeve pranon këtë bamirësi nga shqiptarët duke u shpëtuar jetën me qindra hebrenjve që erdhën në vendin tonë.
33- Pushtimi italian pritej prej kohësh. Pak ditë para ultimatumit të italianëve, mbreti Zog urdhëroi të hartohej një plan rezistence. Gjeneralët që e hartuan atë ishin Xhemal Araniti dhe Gustaq Mirdaci. Plani parashikonte një rezistencë në gjithë vendin, por kryesisht në portet e vendit. Nën drejtimin e Zogut ushtria shqiptare kishte rreth 1200 kuadro të lartë. Nga këta 2 gjeneralë, 7 kolonelë, 12 nënkolonelë, 42 majorë dhe 860 togerë. Siç shkruan vet Zogu në kujtimet e tij, pak pas hartimit të planit informohet se një pjesë e drejtuesve të ushtrisë ishin të korruptuar nga agjentët italianë.
34- Gjatë ekzilit të tij 22-vjeçar, Ahmet Zogu qëndroi në të paktën 10 shtete. Greqia, Turqia, Polonia, Suedia, Franca, Anglia, Spanja, Egjipti, SHBA-ja, Belgjika. Anglia, Egjipti dhe Franca ishin shtetet nga ku Zogu ka bërë planet kryesore për kthimin e tij në Shqipëri.
35- Historiani anglez, Jason Tomes, në librin e tij “Mbreti Zog, Monarku i Vetëshpallur i Shqipërisë”, botuar në 2003, thotë se mbreti gjatë qëndrimit në Londër ka kërkuar të blejë gazetën “The Times” me në vlerë prej 10 milionë paund. Gjatë kohës që kanë jetuar në Angli, Zogu bleu dhe jetoi në një kështjellë “Parmoor House”, një komunitet i vogël rural në Buckinghamshire në Angli. Ndërsa pjesën tjetër të qëndrimit në Angli e kaloi në Londër.
36- Gjatë kohës që kanë qenë në Francë, Ahmet Zogu ka blerë në vitin 1955 dhe ka jetuar shtëpinë e piktorit të madh, Pablo Picaso. Edhe pse në ekzil, familja jetonte sipas rangut të saj duke marrë pjesë në të gjitha ceremonitë mondane.
Jeta private
37- Ahmet Zogu ishte i fejuar me vajzën e Shefqet Vërlacit për shtatë vite. Ai u fejua në vitin 1921 dhe u nda nga ajo në vitin 1928. Kjo fejesë ishte dhe një aleancë e nevojshme mes Zogut dhe Vërlacit. Pas ndarjes dy familjet u armiqësuan, ndërsa pushteti e bashkoi përsëri Shefqet Vërlacin me Zogun.
38- Tania Vizirova (Visirova) ka qenë një nga të dashurat e njohura të Ahmet Zogut. Ai e kishte njohur atë në Francë, ku njihej si një kërcimtare profesioniste. Tania me origjinë nga Besarabia dhe Kaukazia, madje erdhi edhe në Shqipëri. Një tjetër histori dashurie e Ahmet Zogut është dhe ajo me gazetaren amerikane, Rose Wilder Lane. Kur Zogu i propozoi asaj për martesë ishte ende ministër i Brendshëm. Libri i saj për Shqipërinë, “The Peaks of Shala” (Majat e Shalës), brenda pak kohëve u ribotua tri herë në Angli, Francë dhe Amerikë.
39- Ahmet Zogu u fejua dhe pas disa muajsh u martua me Geraldinën, një vajzë që rridhte nga një familje mbretërore dhe për bukurinë e saj të jashtëzakonshme ishte shpallur “Trëndafili i bardhë i Budapestit”. Mbreti Zog u martua me konteshën Geraldine Appony të mërkurën afër drekës, më 27 prill të vitit 1938. Geraldina që nga ai çast mori titullin e Mbretëreshës së Shqiptarëve. Data 27 prill u zgjodh pasi një tjetër ceremoni e tillë u bë afro pesë shekuj më parë në kalanë e Beratit. Më 26 prill 1451 martohej Gjergj Kastrioti me Maria Donikën e Arianitit.
40- Dasma u bë eveniment botëror. Hotelet e paktë të kryeqytetit qenë rezervuar për të ftuarit e Mbretit dhe 79 fotografët e gazetarët e ardhur nga e gjithë bota, përfshi Afrikën e Jugut, Argjentinën dhe Japoninë. Dhuratat zunë vendin kryesor në shtypin e huaj. Regjenti, Horti, i Hungarisë pati ofruar një pajton tërhequr nga dy kuaj Lipizan, Franca, një servis prej porcelani Sevre, Musolini disa vazo që dikur i përkisnin Napoleonit, ndërsa Mbreti Viktor Emanuel një statujë antike prej bronzi.
Dhurata që binte më shumë në sy ishte ajo e bërë nga kancelari i Gjermanisë, Hitler, një Mercedez sportiv kabriole të kuq.
41- Çifti i sapomartuar udhëtoi në mbarim të ceremonive nga Tirana në Durrës me një Mercedes të hapur. Mijëra vetë kishin dalë në anë të rrugës për të parë Mbretëreshën 21- vjeçare.
“Nusja zgjodhi një këmishë nate mëndafshi të bardhë me mëngë të gjata me dantella si kambanë dhe priste e tmerruar Mbretin në shtratin me tendë.” – dëshmon biografja e Geraldinës.
Pikërisht këmisha e natës ka edhe një histori tipike shqiptare. Të nesërmen në mëngjes ajo nuk gjendej më nga shërbyesja e Mbretëreshës. E shqetësuar, kjo e fundit, ia referoi këtë bashkëshortit. Përgjigjja ishte befasuese: “Të kam folur shumë për mënyrën se si i respektojmë ne femrat, veçanërisht nënat. Ishte e domosdoshme që ti të ishe e virgjër dhe çdo vajzë e huaj që vjen për martesë, duhet t’i nënshtrohet një vizite mjekësore. Unë mburrem me faktin se kam aftësinë t’i njoh njerëzit dhe më mjaftoi vetëm të shikoja sytë e tu. Nuk të thashë asgjë për këtë vizitë, pasi e dija që nuk do të kishe pranuar. Por, në të njëjtën kohë, më duhej t’i jepja prova Parlamentit, kështu që e mora këmishën tënde të natës dhe ia dërgova kryetarit”. Këmisha e natës kishte shërbyer si provë shtetërore e virgjërisë së Geraldinës.
42- Ahmet Zogu ishte 42 vjeç dhe Geraldina Appony ishte vetëm 22 vjeç kur ata vunë kurorë. Vetëm një vit pas martese ata u bënë me djalë, të cilin e pagëzuan me emrin Leka, për nder të Aleksandrit të Maqedonisë, një nga idhujt. Mbretëresha Geraldinë është e para grua që ngriti një fondacion bamirësie në vendin tonë për të varfrit. Pas martesës ajo u bë një nga femrat me më ndikim në vend për emancipimin e shoqërisë së kohës.
43- Zogu dhe Geraldina jetuan të pandarë për 23 vjet, derisa ai ndërroi jetë në Paris në Prill 1961. Geraldina vdiq në Tiranë në tetor 2002. Në fund të jetës, i ishte plotësuar amaneti i vetëm, të vdiste dhe të varrosej në vendin që i kishte vënë mbi kokë kurorën. Në vitin 2014, revista “The Richest” e shpalli atë mbretëreshën e pestë më të bukur në historinë e martesave mbretërore. Për të u shkruajtën shumë libra dhe përcaktimi më i shpeshtë që haset është: “Trëndafili i bardhë i Budapestit”!
Vdekja dhe disa vlerësime nga bashkëkohësit
44- Ndaj Ahmet Zogut janë bërë të paktën 11 atentate, të cilat janë deklaruar. Dy me bombë, dy me pistoleta dhe pjesa tjetër janë komplote që shërbimi sekret i ka njoftuar se po përgatiteshin kundër tij. Thënia më e famshme për rrezikun e jetës së Ahmet Zogut është ajo e historianit amerikan, Bernd Fisher, i cili thotë se të ishe badigard i Zogut ishte njëlloj si të ishte roje nate në një fabrikë baruti, rreth e rrotull së cilës shkreptijnë rrufe.
45- Zogu vdiq në spitalin Fosch të Francës pas një sëmundje të rëndë në prani të bashkëshortes Geraldinë. Sipas historianit Ficher, në momentet e fundit të jetës Zogu ka tentuar të vrasë veten. I ka kërkuar Geraldinës t’i japë pistoletën. Ajo ia dha, por pa fishekë. Ndërsa gjendja shëndetësore e Zogut ishte e tillë që ai nuk kish fuqi as të ngrite pistoletën për të qëlluar veten.
46- Pjesa më e errët e veprimtarisë së Ahmet Zogut cilësohet largimi nga Shqipëria, më 6 prill 1939, një veprim që pavarësisht sqarimeve të tij dhe familjes, edhe sot mbetet e pashpjegueshme nga historianët.
48- Vlera më e madhe e historianëve që i japin sot Ahmet Zogut është krijimi i një shteti modern shqiptar, me ligje dhe standarde, dhe ekonomi të kohës që nuk i kishin shumë shtete perëndimore në atë kohë.
49- Në disa rreshta lapidar, Faik Konica ka përmbledhur karakterin e Zogut: “Asnjëherë Zogu nuk ka qenë një sundimtar me të cilin mund të merreshe vesh, por në vitet e fundit ai ishte bërë i padurueshëm. Nga natyra ai kishte disa cilësi të shquara dhe në fillim kishte zotësinë t’i maskonte të metat që i kishte më të shumta, derisa një ditë suksesi në rritje e shtyu të hiqte maskën dhe doli siç ishte: Një barbar i paqëndrueshëm dhe bukëshkalë”. Por për Konicën Zogu ka qenë edhe një personazh enigmatik interesant. “Por edhe për ata që u pëlqen, edhe për ata që nuk u pëlqen, ai mbetet një karakter enigmatik interesant, një përzierje e papajtueshme kontradiktash, gjysmë hero e gjysmë karagjoz, i cili për shumë kohë do të tërheqë si mbledhësin e çudirave të historisë edhe studiuesin e psikologjisë”.
50- Në prag të vdekjes, një prej njerëzve që e ka njohur mirë, diplomati Eqrem bej Vlora, e portretizon Zogun kështu: “Në krahasim me bejlerët e tjerë, Zogu nuk kishte mjete, madje mund të themi, ishte i varfër. Por kishte gjëra të tjera që nuk i kishin ata: Ishte më i zgjuar, më trim, më energjik, më serioz, më bindës dhe më popullor se ata. Se ç’përfaqësonte ai në të vërtetë, asnjëri nga ne nuk e dinte mirë, por paraqitja e tij ishte aq bindëse, rrezatonte aq epërsi dhe ai vetë besonte aq fort në misionin dhe në të ardhmen e vet, saqë ishte e vështirë t’i shmangeshe fuqisë tërheqëse të personalitetit të tij.
Inteligjenca natyrore e këtij njeriu ishte e mahnitshme. Edhe kur ia donte puna të gjykonte dhe zgjidhte probleme shumë të vështira dhe të huaja për të, ai rrallë gabonte. Sikundër edhe në shoqëri me njerëz shumë më të kulturuar ai nuk bënte kurrë figurë të keqe. Por përveç inteligjencës, ajo që i jepte atij epërsi të padiskutueshme mbi gjithë të tjerët ishte mungesa e çdo ndjesie. Ahmet Zogu as ka dashuruar, as ka urryer kurrë. Veprimi dhe sjellja e tij i nënshtroheshin gjithnjë kontrollit të një mendje të ftohtë dhe praktike, udhëhiqeshin gjithnjë dhe vetëm prej interesave të tij…”. /mapo.al/