Lajmet

Të pakënaqurit rrezikojnë vendimet e koalicionit

10.06.2016 12:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Print
Të pakënaqurit rrezikojnë vendimet e koalicionit

Çështja e shënjimit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi dhe ratifikimi i marrëveshjes për këtë çështje nga Kuvendi i Kosovës, është një nga çështjet për të cilat një numër i deputetëve i të dyja partive të koalicionit qeverisës në vend, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës, kanë shprehur mospajtim të hapur dhe mosbindje ndaj kërkesave të liderëve partiak.

Por, a shënojnë këto reagime lëkundje të qëndrueshmërisë së koalicionit qeverisës?

Nait Hasani, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, është njëri nga deputetët që ka shfaqur pakënaqësinë lidhur me politikat e caktuara të udhëhequra nga koalicioni qeverisës.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai vlerëson se pakënaqësitë e disa deputetëve brenda të dy partive të koalicionit e rrisin mundësinë e luhatjes së qëndrueshmërisë së koalicionit qeverisës, si dhe mundësinë që të shkohet në zgjedhje.

“Arsyeja e parë është që koalicioni nuk ka politika të përbashkëta qeverisëse. Janë dy grupe politikash nga subjektet politike në koalicion. Arsyeja e dytë është dominimi politik i partive mbi njëra tjetrën, në luftë për marrjen e primatit.”

“Deri më tash PDK ka qenë me primatin e partisë së parë. Lufta e LDK-së, që ta ketë edhe ajo primatin e partisë së parë, duke bërë tregtinë e deputetëve nga partia në parti, tregon që është luftë e heshtur, luftë që tregon se kërkesat e tyre janë për ta ndryshuar një gjendje. Prandaj, mendoj se këto lëvizje janë mjaft serioze dhe besoj që mund të shkohet edhe deri në zgjedhje”, thotë Hasani.

Arben Gashi, deputet i Lidhjes Demokratike në Kuvendin e Kosovës, i cili edhe më parë është shprehur i rezervuar lidhur me mjaft vendime të koalicionit qeverisës, e po ashtu edhe për marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se qëndrimet politike të artikuluara edhe në rastin kur janë të kundërta, megjithatë nuk kanë të bëjnë me koalicionin.

“Kanë të bëjnë me vendimet dhe vendimet mund të mos kalojnë, por kjo nuk ka të bëjë me koalicionin. Për shembull, mund të mos kalojë vendimi për demarkacionin (me Malin e Zi), por kjo nuk do të thotë domosdo se ka të bëjë me koalicionin”, ka theksuar Gashi.

Por, a do të ndikojë pakënaqësia dhe mospajtimet e disa deputetëve nga të dyja partitë e koalicionit qeverisës, në vendimin për ratifikimin ose jo të marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi?

Deputeti Hasani shpreh mendimin se kjo situatë do të ndikojë, për shkak se, siç thotë ai, çështja e demarkacionit ka të bëjë me një vendim politik, i cili ndërlidhet me liberalizim të vizave për Kosovën. Këtë situatë dhe këtë ndërlidhje, sipas tij, e kanë sjellë dy subjektet e koalicionit qeverisës.

“Unë besoj që deputetët nuk do ta votojnë. Unë besoj në përgjegjësinë e tyre dhe nuk do ta votojnë”, theksoi Hasani.

Ndërkaq, deputeti Gashi ka theksuar se nuk dëshiron të paragjykojë se cili do të jetë vendimi i deputetëve lidhur me marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi.

“Nuk mund të paragjykoj asnjë lloj procesi vendim-marrës në Kuvend”, ka theksuar Gashi.

Në anën tjetër, njohësit e zhvillimeve politike në vend konsiderojnë se mospajtimet ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës janë shënuar në të dyja nivelet e pushtetit, në atë lokal dhe qendror.

Imer Mushkolaj, analist i çështjeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se mospajtimet e deputetëve të caktuar, brenda partive të koalicionit, me politikat dhe vendimet e caktuara të vet koalicionit, jo vetëm që do t’i shtojnë lëkundjet e qëndrueshmërisë të koalicionit, por mund ta çojnë vendin në zgjedhje.

“Unë pres që pikërisht këto mospajtime, ndoshta jo tash për çështjen e demarkacionit, mirëpo edhe për çështje tjera që mund të jenë shpejt në rend dite për diskutime dhe miratime, do ta sjellin edhe fundin e këtij koalicioni.”

“Të dy partnerët e koalicionit qeverisës janë të bindur, respektivisht, e dinë se kjo do të ndodhë, pavarësisht deklaratave se koalicioni qeverisës do të shkojë deri në fund të mandatit. Unë pres që kjo të ndodhë më shpejt dhe natyrisht, të shkohet në zgjedhje”, mendon Mushkolaj.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës javë më parë kishin theksuar se ekzekutivi do ta dërgojë me një afat të përshpejtuar në Kuvend Projektligjin për ratifikim të Marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, transmeton rel.

Megjithatë, ende nuk ka ndonjë datë të saktë se kur ky projektligj do të gjendet para deputetëve, për faktin se projektligji ende nuk është dërguar në Kuvendin e Kosovës.

Sqarim: Ndalohen fyerjet dhe përdorimi i gjuhës ofenduese. INFOSOT mban të drejtën e publikimit ose jo të një komenti të caktuar. Përmbajtja e komenteve nuk pasqyron, qëndrim editorial të redaksisë së portalit INFOSOT. Ju faleminderit për mirëkuptimin!
© infosot.com


Skandali i radhës me naftëtarët: “Spahia Petrol” e Xhevat Spahisë kapet duke operuar pa leje, por nuk mbyllet

Skandali i radhës me naftëtarët: “Spahia Petrol” e Xhevat Spahisë kapet duke operuar pa leje, por nuk mbyllet

Tetë të lënduar në aksidentin zinxhiror në autostradën “Ibrahim Rugova”, përfshihen gjashtë automjete

Tetë të lënduar në aksidentin zinxhiror në autostradën “Ibrahim Rugova”, përfshihen gjashtë automjete

Aksident tragjik në Obiliq, vdesin shoferi dhe pasagjeri i një motoçiklete

Aksident tragjik në Obiliq, vdesin shoferi dhe pasagjeri i një motoçiklete

Vuçiqi mbron Radoiçiqin, Prishtina kritikon drejtësinë serbe

Vuçiqi mbron Radoiçiqin, Prishtina kritikon drejtësinë serbe

Preteni: Në Kosovë nuk ka progres në luftën kundër korrupsionit, rezultatet janë zero

Preteni: Në Kosovë nuk ka progres në luftën kundër korrupsionit, rezultatet janë zero

250 vjet shtet, Amerika feston Ditën e Pavarësisë

250 vjet shtet, Amerika feston Ditën e Pavarësisë

Zeka paralajmëron rrezikun e zhvendosjes së bizneseve: Pa reforma ekonomike, Kosova mund të humbë prodhuesit

Zeka paralajmëron rrezikun e zhvendosjes së bizneseve: Pa reforma ekonomike, Kosova mund të humbë prodhuesit

Rizvanolli: Nuk jam marrë shumë me rastin e Martin Berishaj sepse ka ndodhur para qeverisjes tonë

Rizvanolli: Nuk jam marrë shumë me rastin e Martin Berishaj sepse ka ndodhur para qeverisjes tonë

Kurti promovon pullë postare për 250-vjetorin e Pavarësisë së SHBA-së: Aleanca jonë do të vijojë të jetojë

Kurti promovon pullë postare për 250-vjetorin e Pavarësisë së SHBA-së: Aleanca jonë do të vijojë të jetojë

AAB hap regjistrimet në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike, ofron bursë 30%

AAB hap regjistrimet në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike, ofron bursë 30%

Spahija: Nuk na mbyllën fabrikën, pezullimin e prodhimit e vendosi bordi ynë deri në daljen e analizave

Spahija: Nuk na mbyllën fabrikën, pezullimin e prodhimit e vendosi bordi ynë deri në daljen e analizave

Daka: Është shumë e qartë se përsëri po shkojmë kah zgjedhjet

Daka: Është shumë e qartë se përsëri po shkojmë kah zgjedhjet

Ombudspersoni i Speciales pretendon se disa nga të paraburgosurit s’kanë pranuar ta takojnë: Paraburgimi me standarde

Ombudspersoni i Speciales pretendon se disa nga të paraburgosurit s’kanë pranuar ta takojnë: Paraburgimi me standarde

Dosja e Prokurorisë: Pronari i ‘Veda 2 Petrol’, Dashnim Miftari dyshohet si pjesë e grupit të organizuar kriminal – kontrabandë me naftë e pastrim parash

Dosja e Prokurorisë: Pronari i ‘Veda 2 Petrol’, Dashnim Miftari dyshohet si pjesë e grupit të organizuar kriminal – kontrabandë me naftë e pastrim parash

Fotografi, emra dhe gjurmë deri te Xhandarmëria: Kush lidhet me sigurimin e Vesellinoviqit dhe Radoiçiqit?

Fotografi, emra dhe gjurmë deri te Xhandarmëria: Kush lidhet me sigurimin e Vesellinoviqit dhe Radoiçiqit?

Aktakuzë ndaj gjashtë personave për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe mashtrim në prokurim publik

Aktakuzë ndaj gjashtë personave për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe mashtrim në prokurim publik