Sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalim e Sëmundjeve(CDC) në SHBA, personat në të 60-at ose 70-at e tyre janë, në përgjithësi, në rrezik më të lartë për sëmundje të rëndë sesa njerëzit në të 50-at e tyre. Rreziku më i madh për sëmundje të rëndë nga COVID-19 është tek ata të moshës 85 vjeç ose më të vjetër.
Klankosova.tv, ka folur me personat e kësaj kategorie në Kosovë, e që sipas shkencëtarëve janë më të rrezikuarit nga COVID-19.
Pensionistja, Lavdrije Domi, 75 vjeçare, është përballur me sëmundjen që shkakton koronavirusi, po ashtu është përballur më vetminë që ka sjell pandemia.
Ajo u përball me ankthin që ishte në fillim të pandemisë, krejtësisht e vetme, pasi që, burrin nuk e ka më dhe kontaktin me fëmijët i kishte ndërprerë për shkak të pandemisë.
Ajo u infektua në fund të janarit, pasi që kishte pasur kontakt me motrën e vet e cila kishte rezultuar pozitiv.
“ Koha e pandemisë më gjeti të vetme, me fëmijët s’kam pasur kontakt që një vjet e sa, por me motrën pata kontakt, ajo doli e para pozitive, pastaj dola edhe unë pozitive”, tha Domi.
Por fati e deshi që ajo të shërohet me kohë dhe të votojë në zgjedhjet e përgjithshme të 14 shkurtit.
“Zgjati prej fundit të janarit deri në mes të shkurtit, unë madje kam shkuar të votoj”, tha Domi.
Edhe pse më 14 maj, ajo kishte parë mos organizimin e duhur të qeverisë për vaksinimin e qytetarëve, ajo u befasua kur e thirrën tepër t’u imunizuar, pasi që ishte regjistruar nga i biri i saj.
“Qeveria ka thirrur që të aplikojmë, djali ka aplikuar për mua, nuk e di si është bërë tollovia e asaj dite, përndryshe mua më kanë thirrur në telefon, ka qenë ditë e premte edhe me kanë ftuar të shkoj të shtunën. Unë kam shkuar me djalin dhe m’u ka dukur si një mrekulli e vërtet, për shkak se nuk kam pritur fare. Më është dukur si në vendet perëndimore. I gjithë procesi ishte 30 minuta”, tha Domi.
Mirëpo, mundësinë si Lavdrije Domi, që të aplikojë i biri i saj për të dhe të asistohet nga ndonjë familjar apo person tjetër në procesin e vaksinimit kundër COVID-19, nuk e kanë edhe shumë qytetarë që janë në moshën e shtyrë.
Riza Shala, Kryetar i Koalicionit të Organizatës dhe Sindikatës së Pensionistëve dhe Invalidëve të Kosovës, tregohet i bindur se ka shumë të moshuar që kanë problem tek sistemi i aplikimit, ku sipas tij kjo ka ndikuar emocionalisht te të moshuarit.
Kemi vërejtje, sepse 80 përqind e pensionistët nuk dinë ta përdorin teknologjinë dhe jam i bindur që mbi 50 përqind e personave të moshuar nuk kanë dikë që edhe mund t’i ndihmojnë. Kjo është një ngarkesë psikike dhe shton stresin”, tha Shala.
Edhe pse, Shala njëzëri me anëtarët e shoqatës shprehn falënderues që u ka ardhur radha ta marrin vaksinën.
“Jemi të privilegjuar që jemi ndër të parët që e marrim vaksinën dhe jemi falënderues për këtë gjë”, tha ai.
Shala shton se për personat që iu nevojitet asistenca nga dikush tjetër, qeveria ka dështuar.
“Për personat që nuk mund të dalin nga shtëpia për arsye të ndryshme dhe për njerëzit që iu duhet asistenca e një personit tjetër, unë mendoj që qeveria nuk e ka dhënë provimin është dashtë një kujdesej më e madhe”.
Ndërkaq sociologia, Flaka Ymeri e konsideron si kaos, çështjen e aplikimit dhe administrimit të vaksinave për këtë grupmoshë.
“Shqetësuese është procesi i aplikimit dhe çështjet procedurale, që kanë krijuar një kaos dhe paqartësi tek këta të moshuarit që u është dashur asistencë e vazhdueshme nga një person i dytë”, tha Ymeri.
Lavdrije Domi, Riza Shala dhe Flaka Ymeri, që të gjithë kanë kërkuar, thjeshtëzim në procesin e aplikimit dhe administrimit për vaksinim kundër COVID-19.
Klankosova.tv, ka tentuar të kontaktojë me Ministrinë e Shëndetësisë për të mësuar më shumë se pse po ka probleme me aplikim dhe si po merren ata me vaksinimin e personave që nuk kanë mundësi të dalin nga shtëpia, por MSH nuk ka kthyer përgjigje.