Inspektori Ilirjan Gavelli pati fat dhe plumbat që shkrehu arma e Qani Muçës nuk i morën jetën.
Në një kohë që 52- vjeçari është nën kujdesin e mjekëve, juristja Adriana Kalaja e cila njëherësh mban edhe postin e kryetares se Komisionit të Apelimit mori në mbrojtje autorin.
“Nëse do kishim vepruar të gjithë që nga 2013 ashtu siç veproi Qani Muça, banditët nuk do ishin bërë miliardjerë e më pas të blinin votën, shoqërinë civile, pluraluzmin dhe demokracinë. Nëse ti nuk mbron dot shtëpinë dhe familjen tënde, nuk mund të mbrosh mikun, shokun, fqinjin, bashkëpunëtorin, qytetin dhe vendin tënd. Respekt dhe vlerësim për Qani Mucën. Të lumtë pushka – thotë populli”, sipas saj.
Dy zyrtarë të lartë të PD-së u distancuan nga qëndrimi i Kalasë. Luçiano Boçi nënkryetar dhe Alfred Lela shef i zyrës së komunikimit i thanë Top Channel se qëndrimi i Adriana Kalasë që lavdëronte goditjen me armë të punonjësit të shtetit ishte krejtesisht personal.
Kalaja e cila edhe të shtunën doli dhe mbajti një qëndrim zyrtar si funksionare e selisë blu, tani duhet të përballet së bashku me shefat e saj, me dilemën nëse ajo duhet të qëndrojë në këtë seli, pas këtij reagimi, apo t’i rikthehet jetës civile.
Kujtojmë se në fushatën e vitit 2021, kandidati për deputet Xhelal Mziu, bëri thirrje për reagime të ngjashme, pas vrasjes në Elbasan, por të nesërmen nën presionin e selisë dhe Ambasadës Amerikane, u detyrua të kërkonte ndjesë.
Por drejtuesit aktualë të selisë blu, nuk kanë këtë ndjeshmëri ndaj të huajve për arsye që dihen.
Tani mbetet të shohim nëse presioni i opinionit publik do shtyjë krerët e selisë blu, për të marrë një vendim lidhur me qëndrimin e zonjës Kalaja./tch/