Të kaluarën po e fshijmë, po kush do të kujtojë nesër?

E publikuar: 08/07/2025 06:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga Arton Hoxha

Në heshtjen e një mëngjesi të zakonshëm, ndërsa ecim drejt punës, shpesh kalojmë pranë një ndërtese të re e moderne, me fasada që pasqyrojnë rrezet e para të diellit. Ajo shkëlqen, është perfekte në dukje …..por e zbrazët nga çdo kujtim. Ajo duket si e ardhmja, por në thelb është e heshtur. Sepse aty ku dikur qëndronte një shtëpi e vjetër me kujtime brezash, sot nuk ka më asnjë rrëfim për të treguar nga gjyshërit tanë. Sot ngrihet një ndërtesë që nuk flet sepse nuk ka çfarë të tregojë.

Qytetet tona garojnë kush do të bëhet më “modern”, dhe kush e lë pas më shpejt të kaluarën. Është si një garë e heshtur, kush e shemb më shpejt kujtesën, kush fshin më lehtë gjurmët e vetes. Po ndërtojmë lartësi, por po humbim thellësi.

Shtëpitë që dikur mbanin erën e bukës së nxehtë dhe zërin e fëmijëve, po zëvendësohen me struktura që askush s’i quan shtëpi.

Sepse qyteti nuk është thjesht një vend, është një kujtesë e grumbulluar, një shpirt i ndërtuar me shtresa kohe. Çdo çati e përkulur, çdo dritare e lodhur, çdo prag që ka pritur këmbë të lodhura janë dokumente të heshtura të jetës.

Kur i zhdukim këto, nuk po modernizohemi, po bëhemi harresë.

Shumë vende të botës po kuptojnë se trashëgimia nuk është vetëm çështje estetike apo muzeale. Është çështje shpirti, edukimi dhe qëndrueshmërie. Në Berlin, për shembull, pjesë të Murit famëkeq janë ruajtur qëllimisht, jo për të lavdëruar të kaluarën, por për të mos e harruar atë.

Nuk them se e vjetra nuk duhet të preket kurrë. Por prekja e saj kërkon kujdes dhe ndjeshmëri. Sepse një qytet pa kujtesë është një vend pa rrënjë. Dhe një vend pa rrënjë është i brishtë. Ai duhet të flasë. Dhe për të folur, duhet të kujtojë.

Duhet të kemi kujdes për historinë, për atë që kemi trashëguar dhe kemi detyrë ta përcjellim. Është mënyra se si vendosim të jetojmë me kujtimet të mira apo të dhimbshme qofshin. Sepse kur harrojmë gjithçka që kemi qenë, nuk ka si ta dimë ku po shkojmë.

Qyteti duhet të jetë një libër që lexohet me hapa, me frymë, me dashuri. Dhe ky libër nuk shkruhet duke fshirë faqe, por duke i kuptuar ato.

Duhet të jetë detyrë morale dhe institucionale ta mbrojmë, ta vlerësojmë dhe ta përcjellim te brezat e ardhshëm.
Sepse nëse qyteti hesht… kush do të kujtojë nesër?
______
/infosot