“Unë qaj hallin e pleqërisë, vaj halli pleqëria,…”.
Këto janë fjalët e një 100-vjeçari, jeta e të cilit, ashtu si të gjithë, ka kaluar përmes vuajtjeve dhe gëzimeve, por edhe mes luftës, diktaturës, paqes, tranzicionit.
Por Ali Tabaku nuk e ka humbur sensin e humorit dhe duket ende optimist.
-Sa fëmijë ke?
-3 kam, 3 çuna, aq bëri gruaja, ruhej e ruhej mos nxirrte naj kacamoq (dialektore kacamoq-fëmijë i vogël).
Jetëgjatësinë e tij 100-vjeçari nga Mollasi i Cërrikut ia dedikon stilit të jetesës, dhe ushqimit të pakët, jo për shkak të dietës, por për shkak të kohës kur ushqimi shpërndahej me “tollona”.
-E kam mbajt trupin me peris, kam ngrënë vetëm një gjellë, jo se mbaja peris por e donte puna. Duhan nuk kam pirë. Letrat i mbaja, ia dërgoja babait, por duhanin nuk e pija.
-Po në spital ke qenë ndonjëherë?
– Kam qenë një herë për sytë dhe një herë për ujin e hollë, por i kam kaluar lehtë
Me një kujtesë të jashtëzakonshme, duke mos humbur asnjë detaj, Ali Tabaku kujton kohën e luftës, atëherë kur ishte vetëm 25 vjeç.
“Në 29 u çlirua Tirana, në 30 Shkodra. Pas luftës së Tiranës plasi revolucioni. Çka hequr ky trup ditë e natë në dëborë, pa ngrënë e pa pirë. I shihja shokët dyll të verdhë dhe thoja, nuk do të shpëtoj dot më”, rrëfen Aliu.
Edhe pse ka plot 100 vite mbi supe Aliu nuk i reflekton ato. Me pak vështirësi në të ecur, por ai asnjëherë nuk është mbyllur në shtëpi. Me aq sa mundet jeta e tij është aktive me punë të vogla rreth e rrotull shtëpisë.