Të hënën nis gjykimi ndaj katërshes së UÇK-së, marsh do të ketë edhe në Hagë

E publikuar: 31/03/2023 21:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga kjo e hënë do të gjykohet personi që e ka lexuar Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, ish-presidenti Hashim Thaçi me krerët e tjerë të UÇK-së, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi të cilët kryeprokurori i Prokurorisë së Specializuar, Jack Smith, i pati i pati përfshirë në një aktakuzë.

Katërshja e UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Gjykimi do të nisë më 3 prill, e më pas do të vazhdojë edhe më 4 e 5 prill, ku do të jepen fjalët hyrëse nga prokurori i specializuar.

Sipas të dhënave që janë bërë të ditura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në konferencën e fundit për këtë gjykim, prokuroria ka kërkuar së paku 5 orë për të dhënë fjalën hyrëse dhe më pas do të jenë ekipet mbrojtëse që do të flasin në fillim për klientët e tyre.

Të hënën e 3 prillit, për t’i dhënë përkrahje katërshes së UÇK-së, do të ketë edhe një marsh që do të nisë nga ora 10:00 në rrugën ku ndodhen Dhomat e Specializuara të Kosovës, e që do të jetë vazhdimësi e asaj që do të ndodhë në Prishtinë më 2 prill.