Bashkësia Islame e Kosovës përmes një njoftimi ka bërë të ditur se agjërimi i muajit të shenjtë të Ramazanit, fillon të enjten më 23 mars 2023.
BIK ka përgëzuar besimtarët në Kosovë, diasporë dhe në trojet shqiptare duke u dëshiruar agjërim të lehtë.
“Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës njofton besimtarët dhe gjithë opinionin e gjerë se muaji i bekuar Ramazan fillon ditën e enjte, më 23 mars 2023.
Me rastin e fillimit të muajit Ramazan, Kryesia e BI-së, përgëzon besimtarët në Kosovë, diasporë e trojet tona, duke u dëshiruar agjërim të lehtë, shtim të ibadetve dhe solidaritet me njëri-tjetrin”, thuhet në urimin e BIK-ut.
BIK më tej ka shtuar “Me fat muaji i bekuar Ramazan! Agjërim të lehtë dhe të pranuar!”.
Sipas traditës islame, Ramazani është muaji kur vargjet e para të Kur’anit, iu shpallën Profetit Muhamed më shumë se 1,400 vjet më parë dhe përfshinë agjërimin. Nata e saktë e shpalljes është objekt debati mes dijetarëve, por besohet se është një nga datat me numër tek gjatë dhjetë ditëve të fundit të muajit.
Me agjërim kuptohet abstenimi nga ngrënia apo pirja, e shumë gjërave të tjera gjatë orëve të ditës për të arritur shpërblimin e Zotit.