Një grup i tifozëve të zemëruar të Manchester Unitedit e gjuajtën me fishekzjarrë dhe bombola gazi shtëpinë e drejtorit ekzekutiv të shumëkritikuar të klubit, Ed Woodwardit.
Disa fotografi tronditëse nga mbrëmja e së martës tregojnë se rreth 20 tifozë, të mbuluar me kapele – të cilët besohet se janë pjesë e grupit të famshëm të huliganëve, “Burrat në të zezë” – e sulmuan shtëpinë e zyrtarit të Manchester Unitedit në Cheshire, transmeton Gazeta Express.
Grupi i tifozëve u grumbullua jashtë shtëpisë së Woodwardit dhe filluan të sulmojnë nga porta e oborrit të shtëpisë së zyrtarit të Djajve të Kuq.
Woodward, bashkëshortja e tij dhe fëmijët nuk ishin në shtëpi gjatë këtij incidenti.
Tifozët fillimisht telefonuan në shtëpi për t’ua hapur derën. Kur nuk u përgjigj askush, tifozët e ngjyrosën me të kuqe derën, e gjuajtën një bombole të kuqe gazi në oborr dhe pastaj e drejtuan një fishekzjarrë drejt shtëpisë së Woodwardit.
Klubi reagoi duke thënë se dhuna e tillë është e papranueshme dhe se pjesëmarrësit në këtë incident do të dënohen duke u pezulluar përjetësisht nga Old Traffordi.