Të arrestuarit e djeshëm, pjesë e Gardës së Republikës së Iliridës?! (Foto)

E publikuar: 11/06/2015 15:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Arrestimi i djeshëm i anëtarit të Kryesisë së AAK-së, Muhamet Kelmendi, së bashku me studentin e tij A.R. dhe tre shokët e studentit ka ngjallur reagime të ndryshme dhe ka marrë konotacion politik.
Por, derisa Policia dhe Prokuroria, për të mos penguar hetimet nuk kanë dhënë detaje për rastin, Telegrafi mëson se grupi i personave të arrestuar dje, ku pjesë e rastësishme e tij ishte edhe Muhamet Kelmendi i AAK-së, ka qenë duke u përcjellë dhe hetuar nga organet e sigurisë për shkak të veprimtarisë së tyre dhe afërsisë me grupin e kosovarëve të përfshirë në incidentin e Kumanovës.

Telegrafi mëson se shumica e të arrestuarve dje janë pjesë e organizatës që konsiderohet ilegale, Garda e Republikës së Iliridës (GRI), udhëheqës i së cilës është Hamdi Ndrecaj dhe komandant i shtabit të saj, i ashtuquajturi komandant Dibran Shpati, që ndryshe njihet edhe si Dullë Sankovci.

Mësohet se këta persona janë të njohur për institucionet e inteligjencës në Kosovë dhe rajon për shkak të thirrjes së tyre në emër të Gardës së Republikës së Iliridës për mobilizim për luftë në Maqedoni.

Por, shkuarja e tyre dje në veri të Mitrovicës, e cila ka shtyrë organet e sigurisë që të ndërhyjnë duke i arrestuar, është parë me rrezik të madh për provokimin e situatës gjatë rivarrosjes së eshtrave të Isa Boletinit ose edhe për kryerjen e mundshme të ndonjë aksioni në këtë pjesë të vendit.

Mbetet e paqartë prezenca e anëtarit të Kryesisë së AAK-së, Muhamet Kelmendit, në mesin e këtij grupi, i cili dje është shoqëruar në polici së bashku me ta.2(135)

1(143)

/gazetablic/