Të akuzuarit e Speciales i dërgojnë kërkesat e para për ndihmë financiare, Selimi: Do t’i shqyrtojmë këtë javë

E publikuar: 14/12/2020 13:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Drejtësisë i ka pranuar disa kërkesa për t’i paguar avokatët e të akuzuarve të Gjykatës Speciale. Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka thënë në një konferencë për media se këto kërkesa do të shqyrtohen këtë javë, raporton Gazeta Express.

Selimi tha se javën e kaluar Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) e ka bërë verifikimin e zyrtarëve të ministrisë që do të merren me këtë çështje. Ai tha se së pari do të shqyrtohen dokumentet, pastaj shuma e kërkuar e parave dhe në fund do të bëhet transferimi i mjeteve.

Lexo Edhe:
Këto janë dërgesat e para të vaksinave anti-Covid
“[Kërkesat] Janë të klasifikuara. Ky klasifikim është bërë më herët në mënyrë që të ruhet konfidencialiteti mes avokatit dhe klientit. Ne i kemi pranuar disa kërkesa, mund të them. Ato do të fillojnë të shqyrtohen këtë javë, pasi që deri tash e kemi pritur verifikimin e AKI-së të zyrtarëve të cilët do të merren me procesimin e këtyre kërkesave sepse na është dashur që ata ta kenë nivelin e verifikimit sekret. Fatmirësisht javën e kaluar AKI-ja e ka përfundu verifikimin dhe tash i kemi certifikatat e këtyre zyrtarëve të dhëna nga AKI-ja. Grupi do të mbildhet shpejtë dhe do ta shqyrtojë çdo kërkesë me dokumentet përcjellëse… Do të shqyrtohen së pari dokumentet, a janë të komletuara, pastaj do të shqyrtohet shuma e kërkuar. Edhe shuma e kërkuar gjithashtu rregullohet me norma të veçanta se cila do të jetë për çdo kërkesë. Dhe pasi që të kalohet kjo pjesë procedurale, atëherë do të kemi mundësi që t’i transferojmë paratë të mbrojtjes”, tha Selimi.

Ai tha se ligji i obligon për t’i ndihmuar të akuzuarit potencialë, ndërsa theksoi se i kanë 20 milionë euro për t’i ndihmuar ata.

“Ne e kemi buxhetin e caktuar të Ministrisë së Drejtësisë, buxhet i cili ka të bëjë me Divizionin për Mbrojtjen e të Akuzuarve Potencialë. Është detyrë e jona për të cilën na obligon ligji. Nga ky ligj kanë dalë tri udhëzime administrative që e rregullojnë mënyrën se si ndahen ato fonde. Ne i kemi 7 milionë euro të cilat janë ndarë me amandamentim në Kuvend gjatë rishikimit buxhetor dhe 13 milionë euro tjera të cilat janë në buxhetin rezervë”, tha Selimi.

I pyetur nëse do të ndihmohen financiarisht edhe familjarët e miqtë e të akuzuarve, ministri i Drejtësisë tha se shteti i ndihmon familjarët me paratë e vizitës që duan t’ua bëjnë të akuzuarve.

“Ligji nuk e parasheh ndihmën për familjarët, miqtë, mikeshat. Familjarët e kanë ndihmën që ua jep shteti për t’i vizituar të akuzuarit”, tha Selimi /Express/