Qeveria sllovene ka paraqitur propozim për përshpejtimin e procesit të zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor në kuadër të statusit kandidat për Ukrainën dhe Moldavinë, konfirmoi ministrja e re e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon.
Fajon deklaroi se ”Sllovenia mbështet statusin kandidat për Ukrainën dhe Moldavinë, por se Ballkani Perëndimor nuk duhet të harrohet në këtë proces, në mënyrë që politika e zgjerimit të BE-së të mbetet e besueshme”,transmeton Lajmi.net.
Dokumenti i dorëzuar nga Lubjana tek 26 vendet e tjera anëtare kërkon fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, liberalizimin e vizave për Kosovën dhe statusin e kandidatit për Bosnjë e Hercegovinën.
Fajon paralajmëroi se procesi i zgjerimit po vihej në pikëpyetje dhe se ai mbështet të gjitha përpjekjet për MV-në, Shqipërinë, Kosovën dhe BH-në.
Mbështetje për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë pritet të japin sot disa ministra të Punëve të Jashtme të BE-së, përfshirë Austrinë, Gjermaninë dhe disa vende të Evropës Lindore.
Sa i përket statusit kandidat për Bosnjë e Hercegovinën, situata është më e ndieshme.
Komisioneri i zgjerimit të BE-së, Oliver Varhei, deklaroi javën e kaluar se ”BH-ja duhej të përmbushte 14 përparësitë e rënë dakord me BE dhe se dhënia e statusit të kandidatit pa të do të ishte e barabartë me një zbritje”.
Kosova, nga ana e saj, nuk njihet nga pesë vende anëtare të BE-së, duke i bërë më të vështira negociatat për liberalizimin e vizave.
Kosova është i vetmi vend në rajon, qytetarët e së cilës ende duhet të udhëtojnë me viza në BE dhe Schengen.