Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, të martën la takim me kryetarin e një shteti që është një nga aleatët kryesor të Rusisë e cila tash e 18 muaj po kryen agresion ushtarak ndaj Ukrainës.
Ngjarjen në Athinë lideri nga Kievi e quajti të mirë për respektimin e asaj që e quan “Paprekshmërinë e kufijve e Kartës së OKB-së”.
Nga ana e tij presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thotë se sikur nga Zelenskyy këtë të martë ashtu dhe nga kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, që ishte nikoqir i darkës jo-formale të së hënës “mori garanci” se këto dy shtete nuk lëvizin drejt njohjes së Kosovës.
“Mund ta konfirmoj këtë menjëherë. Mbrëmë ai (Kyriakos Mitsotakis) më tha se nuk do të ketë ndryshim të qëndrimit të Greqisë për pranimin e pavarësisë së Kosovës. Pra unë kur ju thashë që nuk do të ketë ndryshim edhe të ukrainasve, është më shumë se sa diçka që mendoj. Pothuajse jam i bindur që nuk do të ketë ndryshim qëndrimi as të Ukrainës”, tha Vuçiqi para gazetarëve në kryeqytetin helen.
Takimi Zelensky-Vuçiq, shkaktoi reagime të mëdha në BE e Ukrainë.
Deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko, i cili bën fushatë që Ukraina ta pranojë Kosovën, tha se Serbia është aleate e Rusisë e kjo s’mund të ndryshohet.
Ai shtoi se vendi i tij s’bën të bëjë kompromis me parimet e veta dhe se Ukraina duhet ta njohë mëvetësinë e shtetit kosovar.
Më e ashpër ndaj takimit në Athinë u shfaq eurodeputetja Viola Von Crammon.
Duke e ndarë shkrimin e Goncharenkos, ajo shkroi se ka shumë gjasa që Vuçiqi pranoi bisedën me liderin ukrainas për t’i bërë presion atij. Kjo duke i premtuar armë nga Serbia për mos-njohje të Kosovës.
Von Cramon shpreson që Zelenskyy e “ kupton se çfarë rreziku politik mund të sjellë një ujdi e tillë” duke shtuar se pavarësia e Kosovës dhe stabiliteti janë po ashtu në interes të Ukrainës.