Takimi për Stabilizim Asocim, BE – Kosovë rrezikon të mos mbahet

E publikuar: 07/10/2023 23:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Drapeaux européens devant le Berlaymont

Takimi i radhës i Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asocim, komision ky i përbashkët i Kuvendit të Kosovës dhe Parlamentit Evropian, ka gjasa të mos mbahet në nëntor, siç ishte planifikuar.

Në një përgjigje për ATV-në, kjo u konfirmua nga kryesuesja e këtij komisioni, Mimoza Kusari-Lila.

“Ende nuk kemi datë të saktë të takimit të radhës të KPSA-së. Parlamenti Evropian nuk e ka anuluar bashkëpunimin, por është me fushata parazgjedhore për zgjedhjet e radhës parlamentare. Prej muajit mars kur kemi pasur takimin e përbashkët në Strasburg, ka pasur indikacione që takimi i nëntorit në Prishtinë, mund të mos ndodhë, për shkak të zgjedhjeve. Megjithatë, ende asgjë të konfirmuar nuk kemi”, tha Kusari-Lila.

Ndonëse, anulimi eventual i këtij takimi sipas Kusari – Lilës, nuk lidhet me masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, kryetarja e Komisionit për Integrime, Rrezarta Krasniqi, ka dyshime.

Sidoqoftë, rëndësia e takimeve të tilla vlerësohet të jetë e madhe.

Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit mes Kosova dhe Bashkimit Evropian u nënshkrua më 27 tetor të vitit 2015, teksa hyri në fuqi më 2016.

Vendet që synojnë anëtarësimin në BE-së nënshkruajnë MSA-në, e cila është një kuadër ligjor dhe përkushtim për reforma politike, ekonomike, tregtare ose reforma për të drejtat e njeriut.