Takimi me Sekretarin britanik, Osmani propozon marrëveshje për thellimin e bashkëpunimit në mbrojtje dhe ekonomi

E publikuar: 02/04/2025 09:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidentja Vjosa Osmani është deklaruar para gazetarëve pas takimit që zhvilloi me Sekretarin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, i cili arriti mbrëmë në Kosovë.

Osmani ka bërë me dije se ka propozuar marrëveshje për thellimin e bashkëpunimit strategjik mes dy vendeve, që do të mbulonte fushën e mbrojtjes dhe ekonomisë.

Ajo deklaroi se vizita e Lammy është dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyera mes Mbretërisë së Bashkuara dhe Kosovës, një aleance që është e ndërtuar mbi vlerat e përbashkëta të demokracisë, lirisë dhe paqes.

“Përkushstimi i Mbretërisë së Bashkuar ka qenë i jashtëzakonshëm dhe i pandërprerë.  Kam kënaqësinë ta përmend se sot e kam bërë propozimin për lidhjen e marrëveshjes për thellimin e bashkëpunimit strategjik që në vecanti do të mbulojë fushën e mbrojtjes dhe ekonomisë.  Sot kemi diskutuar gjerë e gjatë për thellimin e bashkëpunimit tonë strategjik”, deklaroi Osmani.

Osmani tha se janë të përkushtuar që kjo marrëveshje të nënshkruhet sa më parë të jetë e mundur.

“E vlerësoj shumë faktin që e keni mirëpritur këtë bashkëpunim. Jemi të përkushtuar ta vazhdojmë bashkëpunimin ndërmjet iinstitucioneve tona për ta propozuar këtë marrëveshje ,për ti dhënë formën e duhur dhe ta nënshkruajmë sa më parë qe të jetë e mundur”, tha ajo para gazetarëve.