Ankthi i tifozëve kuqezi të Milanit duket se do vazhdojë. Pas takimit të sotëm mes Silvio Berluscon-it dhe Bee Taechaubol, manjatit tajlandez që dëshiron të marrë drejtimin e klubit, ende nuk ka një marrëveshje.
Bisedimet u zhvilluan në Milano, në hotelin “Park Hyatt” ku më pas pati edhe një prononcim për gazetarë. Berlusconi tha se mund të mbajë 51% të aksioneve si dhe e cilësoi tajlandezin Bee si njeri serioz.
“Ekziston mundësia që unë të mbaj 51% të aksioneve. Te z. Bee kam parë një njeri serioz, prandaj po diskutojmë çdo detaj që lidhet me të ardhmen e skuadrës. Unë dua që t’i jap garanci tifozëve se Milani do të jetë në duar të sigurta dhe do kthehet sërish në krye të futbollit europian”- u shpreh ish-kryeministri italian.
Ndërkohë, Bee Taechaubol ka pranuar se deri të marrëveshja do të duhet edhe pak kohë. “Dua të falendëroj presidentin Berlusconi për mundësinë që po me jep. Ne jemi duke biseduar dhe besoj se deri te marrëveshja do të duhet kohë”- tha para gazetarëve tajlandezi. / Top Channel