Takimi Kurti – Vuçiq në Ohër, Escobar të premten në Prishtinë takon liderët e shtetit

E publikuar: 16/03/2023 10:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Kurti Escobar

Vetëm një ditë para takimit të 18 marsit në Ohër të Maqedonisë së Veriut dhe pas takimeve në Beograd, të premten i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi do të jetë në Prishtinë për tu takuar me liderët e shtetit.

Gabriel Escobar do të jetë në Prishtinë, pas vizitës në Beograd në përpjekje që takimi i 18 marsit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq ku do të diskutohet plani i zbatimit të Propozimit evropian për normalizimin e raporteve të jetë i suksesshëm.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka bërë të ditur për Telegrafin se takimi ndërmjet kryeministrit Kurti dhe të dërguarit të SHBA-së, Escobar do të mbahet të premten.

“Takimi do të mbahet të premten”, deklaroi Kryeziu.

Takime me diplomatin amerikan do të ketë edhe presidentja Vjosa Osmani.

Ndryshe, pas takimit të Escobarit me presidentin serb, ky i fundit tha se ka zhvilluar një “bisedë të hapur dhe korrekte”.

Vuçiq shkroi në llogarinë e tij në Instagram: “Besoj në përmirësimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së”.

Ndërsa në komunikatën e Presidencës së Serbisë, thuhet se është diskutuar procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe mundësitë për gjetjen e zgjidhjeve përmes kompromisit dhe të qëndrueshme në dialogun e zhvilluar me ndërmjetësimi i Bashkimit Evropian”.

“Presidenti Vuçiq përsëriti qëndrimin e pandryshuar të Serbisë në lidhje me ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, me theks në zbatimin e plotë të marrëveshjeve të nënshkruara deri më tani dhe ruajtjen e interesave shtetërore dhe kombëtare”, thuhej në komunikatë.

E ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier një ditë më parë tha se takimi i Ohrit është një mundësi e jashtëzakonshme për Kosovën dhe Serbinë për të arritur marrëveshje mbi planin evropian për normalizim të marrëdhënieve.

Në një takim që ka zhvilluar me gazetarë në ndërtesën e Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë, Hovenier tha se aktualisht fokusi kryesor është te zbatimi i aneksit të marrëveshjes.