Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot priti në takim kryetarin e PDK-së dhe deputetin e Kuvendit, Bedri Hamza. Temë e bisedës ishte edhe zgjedhja e presidentit për çfarë kanë mbetur vetëm edhe 10 ditë kohë në bazë të afateve kushtetuese, bëri të ditur Qeveria e Kosovës.
“Kryeministri Kurti falënderoi kryetarin Hamza për bashkëpunimin në Kuvend me rastin e votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare. Kryetari Hamza shprehu gatishmërinë për koordinim parlamentar për çështje të interesit shtetëror e kombëtar. U diskutua për zhvillimet politike në vend e më gjerë dhe nevojën për të hapur një kapitull të ri të komunikimit dhe dialogut konstruktiv qeveri-opozitë në të mirë të Republikës sonë dhe pluralizmit partiak e demokratik. Natyrisht, temë e bisedës ishte edhe çështja e zgjedhjes së Presidentit për çfarë kanë mbetur vetëm edhe 10 ditë kohë në bazë të afateve kushtetuese. U konstatua që bashkëpunimi është i nevojshëm, duke qenë se duhen së paku 2/3 e deputetëve të Kuvendit për votim të suksesshëm. Kryeministri Kurti nesër do të takojë kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës


















